Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli nga foltorja e Kuvendit për arrestimin e ish-ministrit të Drejtësisë, Lefter Koka, nga SPAK,si i përfshirë në aferën me inceneratorët.

Kryedemokrati Basha u shpreh se ky veprim i SPAK është një dritë shprese, ndërsa shtoi se Lefter Koka nuk është koka, por bishti. Sipas Bashës, kryesori që qëndron pas kësaj aferë është Edi Rama.

“Sot është vendi dhe koha për të thënë se hapi i parë i ndërmarrë me arrestimin e një prej ministrave mund të jetë një dritë shpresë, që një nga kolonat të shoqërisë të rindërtohet. Për më shumë se 5 vite Rama dhe trekëndëshi i Bermudës janë përpjekur të ndërtojnë reformën në drejtësi, me njerëz që japin garanci që nuk do preken trekëndëshi i Bermudës, me gjyqe si ai i Saimir Tahiri, me të pandehur që sot janë në arrati dhe me një kokë turko që për ironi e ka mbiemrin koka, por në fakt është bishti, sepse koka është prapa meje. Në asnjë vend normal, edhe qytetari më i thjeshtë i Afrikës e kupton që 17 vendime brenda ditës nuk kanë si të ndodhin nëse koka është koka që është në pranga dhe jo ky që është prapa meje”, deklaroi Basha.

Kryedemokrati Basha u shpreh se në këtë vend nuk ka qeveri, por sundim ku një kastë që ka asgjësuar demokracinë kërkon të shndërrojë parlamentin në një foltore.

“Ky është thelbi i sundimit. Një kastë që ka asgjësuar demokracinë dhe kërkon ta shndërrojë këtë parlament një foltore qesharake kopje të foltoreve të tjera, ku flitet për gjithçka, por jo për problemin e vërtetë”, tha ndër të tjera Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb