Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur sanksione ministrit të Brendshëm turk dhe të Drejtësisë për shkak të mbajtjes nën arrest të pastorit nga Karolina e Veriut Andrew Branson. Ai është arrestuar që më 25 korrik 2016 nën akuzat se ka ndihmuar një grup të udhëhequr nga kleriku mysliman, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për tentativën e dështuar për grusht-shtet në Turqi. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se dy ministrat turq kanë luajtur rol kryesor në arrestimin e pastorit.

“Ne besojmë se pastori është viktimë e një arrestimi të padrejtë dhe nuk kemi prova që ai të ketë gabuar diku. Si rezultat çdo pronë e dy ministrave turq nën juridiksionin amerikan do të bllokohen dhe amerikanët do të ndalohen të kryejnë tansaksione me ta”. Javën e kaluar presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Turqinë se do t’i vendoste një numër të madh sanksionesh nëse nuk do të lironte menjëherë pastorin Andrew Brunson. Presidenti turk reagoi duke u shprehur se Turqia nuk do t’i japë rëndësi gjuhës kërcënuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nga gjuha kërcënuese e SHBA-së nuk përfiton askush. Nuk është aspak e përshtatshme që të përdoret një gjuhë e tillë ndërkohë që Turqia ka dhënë mbështetje maksimale për Nato-n. Nuk do t’i kushtojmë rëndësi kësaj gjuhe kërcënuese”. Erdogan ka theksuar më tej se Turqia nuk do të bëjë kompromise sa i përket pavarësisë së gjyqësorit dhe se SHBA-ja duhet ta njohë mirë karakterin turk.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb