Deputeti Gazment Bardhi në fjalën e tij në Kuvend u ndal tek rasti i arrestimit të sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjithashtu ai u shpreh se Ministrja duhet të japë dorëheqjen, pasi sipas tij ky rast ka treguar qartë se në dikasterin e Ministrisë së Drejtësisë nuk është i izoluar.

DEKLARATA E GAZMENT BADHIT:

Këto ditë mësuam se qeveria e ka rritur tarifën e korrupsionit. Nga një tender modest orej 8 milionë lekësh i Ministrisë së Shëndetësisë kuptuam se tarifa e korrupsionit në qeverinë e Edi Ramës ka shkuar 40%.  Kur kryeministri i sotëm i hyri politikës, ai njihej si mr.10%shi. Ky është një politikan që e bazoi karrierën e tij tek korrupsioni dhe prej 25 vitesh nuk njeh të ndalur. Sot, kemi një kryeministër me një etje të pakufoshme për pushtet. Sa më e madhe dëshira për pushtetin, aq më i madh korrupsioni. 40% vjedhin këta vetëm me një tender, por duan që populli të besojë se ky është një rast i izoluar, se këta nuk janë te gjithë kaq hajdutë. Populli thotë se peshku qelbet nga koka. Dhe ka shumë të drejtë. Aty ku ka vullnet, korrupsioni luftohet me të vërtetë. As  nuk bëhet teatër, as nuk ushtrohet presion ndaj drejtësisë.

Merrni rastin e suksesshëm të Moldavisë. Aty po ndodh një luftë spektakolare kundër korrupsionit, sepse në krye të kësaj lufte qendron një kryeministre e ndershme, e zgjedhur me votë të lirë dhe që ka frymëzuar të rinjtë, profesionistët, shoqërinë moldave për t’u bërë pjesë e kësaj beteje.

Shqipëria është vite dritë larg Moldavisë. Pas dy dekadash e gjysmë në pushtet, Edi Rama jo vetëm nuk ka bërë kurrë asgjë për të luftuar korrupsionin, por ka ndërtuar një sistem shkatërrues për demokracinë.

Cili nga ju sot kolegë të maxhorancës do të dalë e të më thotë që tarifa e korrupsionit në qeverinë tuaj nuk është 40%? E keni të pamundur të mohoni faktet që SPAK-u ka sjellë në rastin e tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë. A na mjafton ne ky akt i SPAK-it? Absolutisht që jo! Prandaj, në vend që ta sulmojmë, duhet ta inkurajojmë. E di që është e vështirë, e di që qeveria, kryeministri, emisarët e tij janë në përpjekje te vazhdueshme oër të kontrolluar drejtësinë, por s’ka asnjë shpresë tjetër konkrete që diçka në këtë vend të ndryshojë për mirë!

Korrupsioni është një çështje që prek çdo aspekt të jetës sonë. Jo më kot ai zë vendet e para në çdo sondazh dhe hulumtim të shoqërisë sonë. Mbi 80% e shqiptarëve e shohin korrupsion si problem kyç dhe duan që kjo të ndryshojë. Dhe me të drejtë! Sepse korrupsioni përkeqëson shërbimin në sistemin tonë shëndetësor. Përkeqëson arsimin e fëmijëve dhe të rinjve. Korrupsioni mbyt të drejtat e njeriut. Korrupsioni vë në rrezik sigurinë kombëtare. Korrupsioni dëbon njerëzit nga atdheu i tyre. Korrupsioni zbraz buxhetin e shtetit për të mbushur xhepat e qeveritarëve. Korrupsioni dobëson njerëzit e zakonshëm dhe fuqizon njerëzit me pushtet dhe krimin e organizuar.

Çfarë vlere ka rritja e pagave, kur korrupsioni mbretëron në Shqipëri? 40% e taksave tuaj të nderuar qytetarëve vidhen. 40% e pasurive kombëtare vidhen. Mos harroni! Nga 10%, kur mori për herë të parë pushtet, Edi Rama e ka çuar në 40% taksën e korrupsionit. Mendoni sa shumë kemi humbur nga korrupsioni në shëndetësi, në arsim, në infrastrukturë. Një vend kaq i vogël dhe kaq i pasur sa ne, duhet të ishte një Zvicër në zemër të Ballkanit. Por korrupsioni na ndalon të begatohemi. Na ndalon të punojmë në vendin tonë dhe të fitojmë nga djersa jonë.

E shoh që nuk po rrini rehat në karriget tuaja zonja dhe zotërinj ministra! E kuptoj që ju krijon alergji lufta kundër korrupsionit. Por psh ju mund ta ndihmoni drejtësinë drejtpërsëdrejti. Zonja zëvendskryeministre sa e keni taifën e korrupsionit në Ministrinë tuaj? E keni biseduar me sekretarin tuaj të përgjithshëm? Me pjesën e luanit të fondeve të rrugëve dhe energjisë, ju patjetër duhet ta keni mbi 40% gjobën. Por pyesni e na thoni!

Edhe ju zonja Ministre e Financave, në ministrinë tiaj duhet të jeni në një garë të fortë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës për të zhvatur sa me shumë nga fondet publike përmes tenderave dhe procedurave korruptive. Në diskutim sot nuk vihet më a merrni 40% të vlerës së tenderit, por sa më shumë se kaq merrni! Pyeteni edhe ju Sekretarin tuaj të Përgjithshëm për normën e gjobës me tenderat në ministrinë tuaj. Nëse nuk je e kënaqur prej tij, pyet sekretarin e Përgjithshëm të paraardhësit tënd. Njerëzit e tij i lëviznin paratë e korrupsionit me thasë nga njëra shtëpi në tjetrën, derisa përfunduan në shtëpitë e sanitarëve.

Zonja Ministre e Shëndetësisë, si ka mundësi që heshtët për skandalin në ministrinë tuaj? Duke mos u distancuar nga aktet korruptive të bashkëpunëtorëve tuaj më të afërt, ju dëshmoni se korrupsioni i Sekretares suaj të Përgjithshme nuk është një rast i izoluar. Ju tregoni se jeni pjesë dhe i shërbeni një sistemi të kalbur nga korrupsioni.

Do të ishte në nderin tuaj të jepnit dorëheqjen! Të tregonit me fakte se nuk jeni bërë pis. Të tregonit me vullnetin tuaj të lirë dhe jo me propagandë boshe se e mbështesni drejtësinë dhe i hapni rrugën drejtësisë për të hetuar deri në nivelet më të larta, deri tek ju! Por ju e humbet këtë shans! Nëse ju ngushëllon si fakt, nuk jeni e vetmja. Ju mësoni nga më profesionisti në punë korrupsioni. Nga kryetari juaj legjendar që u kap me presh në duar me McGonigalin dhe vazhdoi të sillej sikur s’kishte ndodhur asgjë.

E keni vënë re, sa herë i shpërthen një skandal korrupsioni në nivele të larta, Edi Rama nuk di asgjë. Nuk dinte asgjë për Saimir Tahirin, megjithëse ne ia thoshim përditë. Nuk dinte asgjë për inceneratorët, megjithëse ne, prapë, i denonconim përditë. Me shumë gjasë, nuk do të dijë asgjë as për Vangjush Dakon, i cili po hyn e po del shumë shpesh nga SPAK këto kohë.  Fraza e vjetëruar e tij se nuk bëhet mburojë për askënd shërben vetëm sa për demagogji. Dalja nga burgu e Saimir Tahirit i rrëzoi gjithçka dhe provoi se Edi Rama është peng i korrupsionit. Ai është një minues i vërtetë i demokracisë sonë dhe përfaqëson një shans të humbur për mirëqenien e shqiptarëve.

Historia na ka mësuar se regjimet autoritare janë ndërtuar mbi korrupsionin. Kjo që kemi ne sot nuk është demokraci. Kush thotë të kundërtën, gënjen veten dhe këdo tjetër. Ne nuk mund të nisim të prosperojmë pa nisur të luftojmë seriozisht korrupsionin. Edi Rama ka dështuar ta bëjë këtë, sepse ai ble zgjedhjet. Stabiliteti që ai i ofron komunitetit ndërkombëtar është një fasadë e rreme, e ndërtuar mbi një sistem korrupsioni që gëlon në çdo qelizë të qeverisjes. Kjo duhet të ndryshojë! dhe e vetmja mundësi që kjo të ndodhë, në mënyrë që të mos na shembet mbi kokë çatia e ngrënë nga korrupsioni, janë zgjedhjet e lira, të pandikuara nga blerja dhe korrupsioni. Për Shqipërinë, ky është shpëtimi i vetëm!

Problemi më i madh sot në Shqipëri është se njerëzve u ka shteruar besimi se politikanët mund të ndryshojnë diçka. Me të drejtë. Diskutimi i tyre, për fat të keq, është  se cila nga palët politike ka berë mënshumë korrupsion se tjetra. Humbja e besimit të njerëzve është një lajm i keq për vendin. Por sot, dua të them mijëra të rinjve dhe të rejave që mendojnë kështu, se nuk kanë plotësisht të drejtë. Në ketë sallë ka njerëz të ndershëm që mund ta ndryshojnë këtë situatë katastrofike. Në këtë sallë, ka politikanë që e kanë provuar veten se nuk i dorëzohen korrupsionit. Kjo është një situatë emergjente qe duhet ndryshuar. Ne, të dashur qytetarë, mund ta ndryshojmë së bashku, me kurajo, me guxim, me ndershmëri!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: