Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar sot një shtetas serb të dyshuar se ka kryer krime lufte në Kosovë.

Mbi rastin ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, i cili tha se krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk harrohen e as nuk i falen.

“Drejtësia për secilin akt çnjerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme. Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marr pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht. Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht. Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb