NGA DORJANA BEZAT

TIRANË- Zbulohen të tjera detaje nga operacioni antidrogë që u zhvillua dje në Tiranë në rrugën “Myslym Shyri” ku u arrestuan 5 persona dhe u sekuestruan 1 kg e 24 g heroinë dhe 2 kg e 160g çokollatë kanabis:

Të 5 të arrestuarit janë me precedentë dhe të dënuar më parë për narkotikë. Dy kanë qenë për trafik lëndësh narkotike në burg në Turqi, raporton “BalkanWeb”.

Nikolin Merko është arrestuar më parë në Turqi dhe është dënuar me 5 vite burg pasi policia e ka kapur me 9 kg heroinë. Ai ka qëndruar në burg 5 vjet pas këtij arrestimi.

Avdyl Musagaj ka qenë në burg në Elbasan për trafikim droge. Ai rezulton i dënuar edhe në Itali për trafik droge.

Fatjon Bahiti ka bërë 3 vjet burg në Elbasan pasi është kapur me një sasi kanabisi.

Edhe Tomorr Shqezi dhe Ervin Myftiu kanë qenë të dënuar më parë për “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

Të 5 të arrestuarit i fshiheshin policisë dhe nga frika e përgjimeve telefonike të gjithë komunikonin me Blackberry në aplikacionin BBM, e cila është një linje që përgjohet me vështirësi.

Lëndën narkotike që u sekuestrua nga policia, 5 të arrestuarit do ta përzienin e do ta shpërndanin tek shpërndarësit e tyre në Tiranë, të cilët e shisnin me doza të vogla deri në 5 gram.

Dyshohet se droga ka ardhur nga Turqia nëpërmjet Nikolin Merkos që ishte dhe furnizuesi kryesor i grupit. Policia po vazhdon hetimet duke bashkëpunuar dhe me policinë turke pasi dyshohet se ky rrjet ka dhe shtetas turq të implikuar. Në celularët e Nikolin Merkos të sekuestruar nga policia janë gjetur shumë numra telefoni turqish të cilat i janë përcjellë policisë turke për verifikim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb