VLORË- Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Vlorë ka arrestuar 3 punonjës të policisë së qarkullimit rrugor në Delvinë pasi akuzohen për shpërdorim detyre.


Sipas burimeve zyrtare janë arrestuar:


– N/Komisar Artan Alinani, 47 vjeç, me detyre Specialist Shërbimi dhe Përgjegjës grupi ne seksionin e kontrollit dhe menaxhimit te qarkullimit rrugor ne Komisariatin e Policisë Delvine.


– Inspektor Osman Tozo, 49 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Seksionin e kontrollit dhe menaxhimit ne Komisariatin e Policisë Delvine.

– Inspektor Shkëlqim Vrapi, 51 vjeç, me detyrë Trupe shërbimi në seksionin e kontrollit dhe menaxhimit në Komisariatin e Policisë Delvinë.

Ndalimi i tyre u bë pasi në date 2 maj 2016, rreth orës 13.00, në një rruge të qytetit të Delvinës, automjeti i tipit “Mercedes Benz”, me targë DL 3134 A, në pronësi të shtetasit M.A., por i drejtuar nga shtetasi A.SH. u përplas me automjetin me targa greke YZX 4089.

Pavarësisht ngjarjes së ndodhur, sipas policisë, Shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Delvinë, N/Komisar Artan Alinani, dyshohet se ka ndryshuar emrin e drejtuesit të automjetit me targë DL 3134 A të përfshirë në ngjarje, shtetasit A.SH., pasi nuk kishte leje Drejtimi, me një shtetas tjetër.

Ne realizimin e këtij akti falsifikimi janë përfshirë edhe efektivët e policisë, Inspektor Shkëlqim Vrapi dhe Inspektor Osman Tozo.

Punonjësit e policisë, N/Komisar Artan Alinani, Inspektor Osman Tozo, Inspektor Shkëlqim Vrapi kanë kryer veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, kryer në bashkëpunim.

PROKURORIA
Me urdhër të Prokurorisë së Sarandës, janë ndaluar 3 oficerë të Policisë Rrugore të Delvinës, të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Fallsifikimit të dokumentave”, pasi ka fshehur dhe manipuluar të dhënat për një aksident, ndodhur mesditën e datës 2 Maj në këtë zonë.

Urdhërat e ndalimit të Prokurorisë së Sarandës janë zbatuar nga ana e Shërbimit për Çështje të Brendshme të Ministrisë së Brendshme dhe oficerët e ndaluar janë:

1. Artan Alinani, me detyrë Shef i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Delvinë;
2. Osman Tozo, efektiv i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Delvinë;
3. Shkëlqim Vrapi, efektiv i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Delvinë;

Nga veprimet hetimore të deritanishme të Prokurorisë së Sarandës, rezulton se:

Më datë 02.05.2016, rreth orës 13.00, në një nga rrugët e qytetit të Delvinës, automjeti i markes “Mercedes Benz”, me targe “DL xxxx A”, në pronësi të shtetasit M. A., por që drejtohej nga shtetasi A. Sh., është karamboluar me automjetin me targa greke “YZX xxxx”, të drejtuar nga shtetasi J. K., banues në Delvinë, rezident në shtetin grek.

Në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Delvinë, njoftimi për këtë ngjarje është dhënë në orën 14.30, nga telefonata e një qytetari.

Të orientuara nga Salla Operative, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Delvinë, Shkëlqim Vrapi dhe Osman Tozo. Këta të fundit, pasi kanë marrë dijeni për rrethanat e ngjarjes së ndodhur, kanë identifikuar automjetet e përfshira në të, si edhe drejtuesit e tyre. Paralelisht, ata kanë raportuar pranë Sallës Operative të Komisariatit të Policisë Delvinë, ku oficeri i rojes ka dokumentuar në dokumentin “regjistër i marrjes së kërkesave, ankesave të qytetareve në Zyrën e Informacionit të Komisariatit të Policisë Delvinë” të dhënat e raportuara nga vendngjarja. Në vijim, këta efektivë kanë kryer shoqërimin për në Komisariatin e Policisë Delvinë të automjetit me targë “DL xxxx A”, si edhe drejtuesit të tij, shtetasin A. Sh.

Po ashtu, në vendngjarje, pak çaste më pas, ka mbërritur efektivi i Komisariatit të Policisë së Rendit, B. M., i cili në deklarimet e tij shpjegon “…Ndërkohë, erdhën dy punonjësit e policisë së patrulles së qarkullimit rrugor, Osman Tozaj dhe Shkëlqim Vrapi. Ata … i janë drejtuar personit tjetër, por ai përgjigjej ndryshe herë pas here … punonjësi Shkëlqim Vrapi i kërkoi t’i bënte testin e alkoolit dhe shkoi tek makina e policisë për të marrë qesen e gypin dhe pashë që ia vuri në gojë … këtë person e kanë shoqëruar në Komisariat”.

Pavarësisht ngjarjes së ndodhur, nga ana e tij, Shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Delvinë, Artan Alinani, ka mundur të ndërrojë emrin e drejtuesit të vërtetë të automjetit me targë “DL xxxx A” të përfshirë në ngjarje, shtetasin A. Shi, dhe në vend të tij, në praktikën e aksidentit të ndodhur ka dokumentuar shtetasin R. J. Në realizimin e këtij dokumentacioni jane marrë edhe efektivët Shkëlqim Vrapi dhe Osman Tozo.

Madje, ka qenë vetë Shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Delvinë, Artan Alinani, i cili është paraqitur pranë Salles Operative të Komisariatit të Policisë Delvinë, ku ka verifikuar emrin e drejtuesit te automjetit me targë “DL xxxx A” të evidentuar në dokumentin “regjistër i marrjes së kërkesave, ankesave të qytetarëve në Zyren e Informacionit të Komisariatit të Policisë Delvinë”, duke i kërkuar oficerit të rojes të bëjë ndryshimin përkatës. Oficeri i Sallës Operative, duke besuar tek Oficeri Artan Alinani, ka realizuar edhe korrigjimin e të dhënave në regjistër, duke shënuar emrin e shtetasit R.J, pas fshirjes me korrektor emrin e shtetasit A.SH., veprim për të cilin Oficeri i Sallës Operative shpjegon “Shefi i qarkullimit … më thotë që ke shënuar gabim drejtuesin e mjetit tip “Benz” .., duke më thënë se nuk ishte ai drejtues mjeti, por një person tjetër. Ai më dha emrin e personit tjetër”.

Këto veprime, të kryera nga Shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Delvinë, Artan Alinani, kanë marrë shtysë nga fakti se drejtuesi real në çastin e ndodhjes së aksidentit i automjetit me targë “DL xxxx A”, pikërisht shtetasi A. Sh. nuk disponon Leje Drejtimi për Automjete, rrethanë kjo e vertetuar edhe nga shkresa e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Sarandë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: