PARIS – Tre gazetarë të kanalit televiziv Al-Jazeera u arrestuan pasi kishin hedhur një dron, sot pasdite në një park në Paris. Gazetarët janë ndaluar në pyllin e Bulonjës, në perëndim të Parisit.
“Njëri nga gazetarët drejtonte dronin, i dyti e filmonte, ndërsa i treti shikonte”, – njoftoi një burim.
Por për momentin nuk ekziston asnjë lidhje mes këtyre arrestimeve dhe fluturimit të dronëve gjatë mbrëmjeve në Paris.
Fluturime dronësh u panë sërish gjatë natës së djeshme rreth orës 22:22 dhe 01:00 në Paris. Këta dronë, numri i të cilëve nuk dihet, janë parë nga dëshmitarë dhe policë, veçanërisht në sheshin “Concorde”, në afërsi të së cilit ndodhet Ambasada Amerikane. Këto mjete të vogla fluturuese të telekomanduara u panë gjithashtu përgjatë lumit të Senës, në afërsi të “Invalides”, kullës Eiffel dhe në disa vende të tjera duke përfshirë Saint-Cloud (jugperëndim) dhe Clignancourt (veri). Drejtësia hapi dje një hetim për ”fluturim të avionëve pa pilot në zona të ndaluara”. Një muaj më parë, më 20 janar, Elyse-ja, selia e presidencës franceze, ishte skenë e një fluturimi droni, por asnjëherë nuk ishin parë kaq shumë dronë në një natë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: