Policia Kantonale e Zyrihut gjatë një kontrolli të bërë në një klub nate në Embrach ka arrestuar 10 persona, përfshirë këtu edhe menaxherin e klubit. Siç bën të ditur polizeinews.ch, bëhet fjalë për 9 shtetas të Shqipërisë, pa dokumente të rregullta qëndrimi në Zvicër dhe për menaxherin e klubit, shtetas të Serbisë.

Lokali njihet si klub shqiptar i muzikës ndërsa personi që e menaxhon atë është shqiptar por me shtetësi serbe, shkruan albinfo.ch.

Tetë femra të arrestuara janë këngëtare, kameriere dhe “dama animuese”, të moshave 19 deri 28-vjeçare, njofton policia. Veç tyre është arrestuar edhe një shtetas tjetër i Shqipërisë, 28-vjeçar, i cili po ashtu po qëndronte ilegalisht në Zvicër.

Të gjithë të arrestuarit dyshohen për shkelje të ligjit për të huajt dhe duhet të merren në pyetje nga prokuroria përgjegjëse.

Arrestimi i femrave, këngëtare dhe kameriere kryesisht nga Shqipëria, të cilat vijnë në klubet e natës në Zvicër, të udhëhequra të shumtën e rasteve nga menaxherë shqiptarë të Kosovës ose të Maqedonisë, është një dukuri që përsëritet shpesh. Zakonisht bëhet fjalë për qëndrim dhe punë pa leje të tyre ose edhe për afarizëm ilegal të klubeve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb