Dy burra të dyshuar për qasje me terrorizmin u arrestuan sot, njoftoi policia spanjolle për median, duke saktësuar se ka zbuluar gjatë bastisjes së kryer katër krehër me fishekë dhe municione.

Sipas agjencisë së lajmeve “Europa Press”, bëhet fjalë për karikatorë të armëve të zjarrit të tipit AK-47. Një zëdhënëse e policisë, e pyetur nga media, nuk konfirmoi gjithsesi këtë informacion, duke u kufizuar në konfirmimin e zbulimit të krehrave dhe rreth tridhjetë plumbave.

Dy burrat janë me kombësi spanjolle, sipas një deklarate të Ministrisë së Brendshme, që saktësoi se pesë operacione bastisjesh po vijojnë prej mëngjesit të sotëm, kryesisht në një ndërtesë të rrënuar, që ndodhet në jug të kryeqytetit Madrid.

Këto arrestime vijnë ndërsa Spanja ka rritur ndjeshëm masat e sigurisë për të parandaluar sulme të mundshme xhihadiste.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: