ITALI- Policia italiane ka zbardhur misterin mbi vdekjen e infermieres 45-vjeçare e cila u vra më 25 maj të këtij viti. Ka qenë vajza 17-vjeçare që ka vrarë nënën e saj, e bezdisur nga qortimet dhe kritikat e saj të shumta se e kishte lënë pas dore shkollën dhe është hakmarrë duke e qëlluar me një plumb ndërsa flinte. Adoleshentja ka përdorur pistoletën e babait, i cili ishte oficer i policisë së hekurudhave me detyrë në Reggio Calabria.

Fillimisht, vajza u kishte treguar karabinierëve se në mëngjes herët dikush kishte hyrë në shtëpi, që mund të ishte një grabitës dhe se nëna e saj ishte përballur me të, çka ka bërë që ai ta qëllonte. Por ky version nuk e bindi kurrë policinë, e cila hetoi më thellësisht këtë ngjarje të rëndë.

Duke pyetur në shkollën ku studionte vajza, policia u vu në dijeni, se 17-vjeçarja mungonte shpesh në shkollë, dhe për këtë arsye profesorët kishin njoftuar prindërit e saj. Nëna më pas si për ta ndëshkuar, i kishte ‘sekuestruar’ telefonin dhe e kishte ndaluar të përdorte rrjetet sociale. Në fakt vajza rrinte me orë të tëra brenda shtëpisë duke chatuar në rrjetet sociale.

Policia dyshoi edhe për një vetëvrasje të mundshme por pasi u morën në pyetje edhe kolegë të viktimës në klinikën “Villa Anya” ku ajo punonte, ky dyshim ra. Kolegët e saj e kanë përshkruar 45-vjeçaren si një grua të jashtëzakonshme dhe të integruar mirë në shoqëri. Më pas, policia ka shkuar në banesën ku 17-vjeçarja jetonte me babain e saj për ta marrë atë në pyetje.

Po ashtu, duke qenë se bashkëshorti i viktimës ishte me profesion oficer policie, pistoleta e tij iu nënshtrua një ekspertize mjeko-ligjore, ku rezultoi se ishte përdorur nga vajza, e cila sipas policisë kishte vrarë nënën sepse i ndërhynte në jetën e saj. Ndërsa gjatë arrestimit, adoleshentja nuk ka manifestuar asnjë shenjë pendese. Ajo është shfaqur e ftohtë dhe indiferente.

(xh.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb