TIRANË- Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga, autorin e dyshuar të krimit të dyfishtë të ndodhur më 4 nëntor në Bathore. Sipas të dhënave zyrtare është arrestuar 27-vjeçari Elson (Gazmir Daci), i cili ishte shpallur në kërkim pasi më 4 nëntor qëlloi me armë ndaj Robert Kolaverit, 27 vjeç dhe Valmir Kolaverit, 25 vjeç, duke i lënë të plagosur. Por, për shkak të plagëve të marra 25-vjeçari Kolaveri ndërroi jetë në spital.

Elson Daci ose Gazmir Daci me emër të ndryshuar u kap mbrëmë pak para mesnate në një prej dhomave të një hoteli në autostradë dhe i është gjetur edhe pistoleta TT me 9 fishekë, me të cilën dyshohet se ka kryer vrasjen. Për ngjarjen u arrestuan edhe babai i autorit të dyshuar për fshehjen e armës dhe një i ri që e ndihmoi të arratisej.

RRËFIMI
Ndërkohë që Elson Daci ka pranuar krimin në polici dhe ka treguar se si ka nisur konflikti me Kolaverët që i ka fillesat në Francë. Dy vëllezërit dhe autori i dyshuar jetonin prej disa kohësh në Francë dhe merreshin me transportimin ilegal të klandestinëve nga Franca drejt Anglisë. Pikërisht ky ka qenë edhe motivi i parë i konfliktit mes tyre.

Vëllezërit Kolaveri kishin rrahur në bodrumin e një banese në Francë Elson Dacin, pasi ky i fundit po u prishte pazaret e transportimit të klandestinëve dhe po u merrte klientët. Pas disa kohësh, pas këtij konflikti vëllezërit Kolaveri janë kthyer në Shqipëri, ku rastësisht janë takuar me Elson Dacin. Kur janë gjendur në lokal, ky i fundit u ka kërkuar sqarime lidhur me rrahjen që i kishin bërë në Francë. Në debat e sipër, Daci ka qëlluar me armë në drejtim të vëllezërve, duke i plagosur Valmir Kolaverin dhe Robert Kolaverin, 25 dhe 27 vjeç. Valmir Kolaveri ndërroi jetë pas disa orësh në spital.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: