Gazetarja e portalit Nova.rs, Ana Lalic, është arrestuar të mërkurën nga policia nën akuzën e përhapjes së panikut. Lalic raportoi kushtet skandaloze në spitalin e Vojvodinës, ku po trajtohen edhe të infektuarit me COVID-19.

Edhe pse u la e lirë të enjten në mëngjes, kallëzim penal ndaj gazetares do të vazhdojë dhe asaj i janë sekuestruar telefoni me laptopin.

Gazetarja tregon se 6 policë iu shfaqën në apartament për ta arrestuar dhe se kishin kontrolluar në sendet e saj personale.

Ana Lalic publikoi një artikull ku rrëfeheshin të gjitha problematikat me të cilat përballet stafi mjekësor. Fakti se si mjekët dhe infermierët mund të përdorin vetëm një maskë për gjithë ditën, apo kur u duhet të punojnë në mungesë të ilaçeve dhe rrobave të përshtatshme për situatë pandemie.

Kjo situatë, raportonte gazetarja, ka krijuar edhe revoltë te disa mjekë që kanë refuzuar të shkojnë pranë pacientëve pasi nuk kishin maska, doreza dhe masa të tjera mbrojtëse.

Spitali i Vojvodinës i mohoi dëshmitë e gazetares dhe ndaj saj është bërë kallëzim penal.

Por shoqatat e gazetarëve në Serbi kanë denoncuar veprimet e autoriteteve dhe kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetares. Edhe sekuestrimi i kompjuterit dhe celularit ka ngritur shqetësime te rrjeti i gazetarëve dhe opinioni publik, pasi policia po synon të zbulojë burimet e gazetares.

Shoqatat e gazetarëve në Serbi akuzojnë qeverinë se po përpiqet të kontrollojë çdo informacion mbi koronavirusin, duke fshehur situatën reale.

Kufizimet e marra në Evropën Juglindore, përfshirë Shqipërinë, për shkak të koronavirusit, janë shoqëruar me paralajmërimet e organizatave ndërkombëtare se mund të rrisin në mënyrë abuzive pushtetin e liderëve në pushtet.

Serbia ka aktualisht 1,140 persona të infektuar me COVID-19 dhe 31 persona që kanë ndërruar jetë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb