TIRANE – Bie në pranga Gjergj Cukali, i njohur si një nga të fortët e zonës “Myslym Shyri”. Bashkë me të u arrestuan edhe gjashtë persona të tjerë, në kuadër të operacionit të koduar “Tangent” i finalizuar nga sektori i krimit të organizuar në Policinë e Tiranës.

Veç Cukalit, policia arrestoi edhe Artur Tarjen, 36 vjeç, Muharrem Kallushin, 36 vjeç, Vjollca Gjokën, 46 vjeç, Gentian Balliun, 30 vjeç, Armand Gjokën, 50 vjeç, e Krisald Kundraxhiun, 29 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Hetimet kishin së paku pesë muaj më parë, ndërsa në total në kuadër të këtij grupi, që prej nisjes së hetimeve janë arrestuar 16 persona.

Policia sekuestroi 282 gramë kokainë, 25 telefona celularë, 5 automjete të ndryshme dhe 15 çelësa makinash, etj. Ndër të arrestuarit, janë edhe dy shqiptarë nga Kosova me banim në Prishtinë. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj tha se grupi shpërndante lëndën narkotike në zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.

Grupi kriminal drogën e fshihte kryesisht në banesat e femrave që kishin marrëdhënie me trafikantët dhe e fshihnin në lodrat e pelushit. Nga hetimet dyshohet se Cukali e personat e tjerë, dyshohet se punonin prej një viti në shitjen e shpërndarjen e drogës.

Nga hetimet është zbuluar se droga sigurohej nga Gjergj Cukali, i cili dyshohet se e blinte tek një grup personash që udhëtonin në Holandë. Ndaj të arrestuarve policia ka nisur edhe hetimin pasuror. Ndërkohë, ndaj Gjergj Cukalit është ngritur edhe akuza e falsifikimit të dokumenteve.

POLICIA E TIRANES JEP DETAJE NGA OPERACIONI
Drejtori i policisë Tiranë, Ervin Hodaj bëri publike detaje të operacionit të koduar “Tangent”, në kuadër të të cilit kanë rënë në pranga në kohë të ndryshme,16 anëtarë të grupit kriminal.

“Policia e Tiranës ka finalizuar mbrëmë në mesnatë një operacion të gjerë kundër trafikimit dhe shpërndarjes së drogave të forta. Në pranga në kohë të ndryshme janë vënë 16 anëtarë të një grupi kriminal, që shiste kokainë në disa zonë të kryeqytetit.
Të arrestuarit e operacionit të koduar “Tangent” janë shtetas nga disa qytete të Shqipërisë, por edhe nga Kosova. Ndër ta ka edhe të dënuar më herët për vepra të rënda penale.
Në pranga mbrëmë, në kuadër të këtij procedimi penal janë vënë 7 shtetas:
1. Gjergji Cukali, 37 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për “Pengmarrje dhe armëmbajtje pa leje”;
2. Artur Tarja, 36 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor;
3. Muharrem Kallushi,32 vjeç ,nga Tirana
4. Vjollca Gjoka, 46 vjeçe, nga Tirana;
5. Gentian Balliu, 30 vjeç, lindur në Kurbin e banues në Tiranë;
6. Armand Gjoka, 50 vjeç, nga Tirana;
7. Krisald Kundraxhi, 29 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për veprën penale të prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike
Në kohë të ndryshme më herët, në kuadër të këtij procedimi janë arrestuar edhe 9 shtetas:
1. J. K., 26 vjeç, nga Tirana;
2. A. M., 37 vjeç, nga Prishtina;
3. J. B., 33 vjeçe, nga Prishtina;
4. H. T., 45 vjeç, nga Kavaja;
5. A. T., 27 vjeç, nga Kavaja;
6. J. H., 26 vjeç, nga Durrësi;
7. A. S., 26 vjeç, nga Korça;
8. G. Ç., 25 vjeç, nga Korça;
9. M. J., 33 vjeç, nga Tirana.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pas një hetimi disa mujor nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Ëillson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e “Porcelanit” dhe në rrugën e “Elbasanit”.
Përmes veprimeve proceduariale duke përdorur edhe metoda speciale, Policia e Tiranës ka dokumentuar aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike për këtë grup kriminal. Hetimet kanë provuar se shtetasit e arrestuar e siguronin lëndën narkotike përmes Gjergji Cukalit dhe më pas e shpërndanin, sipas porosive të marra nga klientët.
Provat materiale te sekuestruara:
• 282.1 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë;
• 25 telefona celularë;
• 5 automjete të markave te ndryshme;
• 15 çelësa automjetesh, të cilat dyshohen se janë mjete të lëna si garanci për dhënien e shumave të ndryshme të parave.
Të ardhurat mujore nga shitja e kokainës llogariten rreth 50 mijë euro në muaj.
Sektori për Krimin e Organizuar po heton edhe pasuritë e vëna nga aktiviteti kriminal i anëtarëve të grupit.
Për shtetasin Gjergji Cukali, është ngritur edhe akuza e “Falsifikimit të dokumentave”, pasi iu gjet dhe sekuestruan një kartë ID, Patentë dhe Pasaportë biometrike të falsifikuara.
Materialet proceduriale do t’i dërgohen pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve e kryer në bashkëpunim”, të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve të arrestuar në flagrancë.

KUSH ESHTE GJERGJ ÇUKALI
Gjergj Cukali ka qenë një prej personazheve të njohura të botës kriminale të kryeqytetit, pasi bashkë me miqtë e tij, Florian Metalla, Ledio Lito, Ilir Kodumi, Eduart Skuka dhe Durim Gurzi, morën peng Fatjon Demirlikën dhe kërkuan 100 mijë euro për lirimin e tij. Por plani i tyre dështoi, pasi u arrestuan në kohë nga Policia e Tiranës.

Në korrik të vitit 2004, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, pranë një karburanti, merret peng Fatjon Demirlika. Rrëmbyesit i kërkuan familjes së Demirlikës një shumë prej 100 mijë eurosh në këmbim të lirimit të të afërmit të tyre. Vendi i dorëzimit të parave ishte lënë në varrezat e Tufinës. Familjarët e Demirlikës njoftuan policinë, e cila vendosi të dërgojë një agjent të sajin për të dorëzuar gjobën e vendosur nga pengmarrësit.

Në momentin e dorëzimit të shumës prej 100 mijë eurosh, policia arrestoi Ledio Litën, i cili më pas tregoi vendin ku mbahej pengu Demirlika. Pak orë më vonë, falë një tjetër operacioni policor, u bë lirimi i pengut, si dhe u arrestuan Gjergj Cukali, Florian Metalla, Ilir Kodumi e Eduard Skuka. Në përpjekje për të shpëtuar nga duart e policisë, banda e pengmarrësve vrau Endri Shimën, mik i ngushtë me pengun Fatjon Demirlika. Nga hetimet rezultoi se autori i vrasjes së Shimës ishte Durim Gurzi. Ky i fundit mundi t’u shpëtojë prangave, për t’u kapur tre vjet më vonë.

Në fund të gushtit 2012, Gjergj Cukali është kapur pranë lulishtes “1 Maji”, përballë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, me një pistoletë tip “Glock” me 17 fishekë, që e mbante në një çantë të vogël. Rreth orës 16:00 të 5 majit 2012, Shpend Kadiu, 43 vjeç, punonjës sigurie, në një kompani private, ka bërë kallëzim se në rrugën “Mihal Grameno”, pranë Shkollës së Baletit, është dhunuar fizikisht dhe është kërcënuar me armë për jetën nga dy persona të panjohur, për një vend parkimi të parapaguar.

Policia asokohe tha se nga deklarimet e marra është arritur të identifikohen autorët e ngjarjes, Gjergji Pjerin Cukali, 33 vjeç, lindur dhe banues në rrugën “Myslym Shyri”, i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: