TIRANE- Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga policia, nën akuzën për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Ish-ministri akuzohet për një tender me vlerë 30 milionë lekë të reja. Pas arrestimit në vendlindjen e tij në Derviçan, Ksera u transferua gjatë natës në Tiranë.

Mësohet se në automjetin që bëri shoqërimin e Kserës në policinë e Tiranës ka qenë edhe një prokuror. Transferimi i Kserës u bë pak para orës 02:00 të ditës së sotme.

Ndalimi i Kserës nga punonjësit e policisë së Komisariatit të Gjirokastrës u bë dje jashtë një lokali në fshatin minoritar në Gjirokastër. Një automjet i policisë ka shkuar pranë ambienteve të lokalit, duke i bërë të ditur ish­ministrit urdhrin për ndalimin e tij. Ksera, ka kërkuar të njihet me arsyet duke iu drejtuar efektivëve të policisë me fjalët: “Unë nuk kam bërë gjë”.

Ndërsa, punonjësit e policisë i kanë kërkuar që të shkonte me ta pasi Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër për arrestimin e tij. Pas prangosjes, Ksera është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Gjirokastrës.

Nga hetimet mbi e Prokurorisë së Tiranës për abuzimet në Ministrinë e Punës dhe Çështjes Sociale ka rezultuar se tetë persona përfshirë dhe ish­ministrin Spiro Ksera kanë kryer abuzime me detyrën.
Për këtë arsye, prokuroria e kryeqytetit ka lëshuar urdhër arresti për këta tetë persona. Deri tani është vënë në pranga ish­ministri Ksera dhe një ish­punonjës i ministrisë që ai drejtonte, Artemis Mene

KSERA DYSHOHET SE ABUZOI ME TENDERIN 30 MLN LEKË
Në të njëjtën kohë është ndaluar dhe një tjetër person, Artevis Mene, nga Goranxhia, duke çuar kështu në 3 numrin e të ndaluarve, pasi kohë më parë pas hekurave ka përfunduar dhe ish-zyrtari i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, Klevis Bitro. Ndërkohë, pritet të arrestohen dhe 5 persona të tjerë, pasi për afro një vit kanë vijuar hetimet e prokurorisë.

Sakaq, dyshohet se abuzimet e ish-ministrit të qeverisë ‘Berisha’ janë bërë pak ditë para se ai të linte detyrën e tij pas rrotacionin të pushteteve në vitin 2013.

Sipas të dhënave të deritanishme të prokurorisë, dyshohet se Ksera së bashku me disa vartës të tij kanë përvetësuar një shumë parash, të cilët mendohej se do të përdoreshin për disa tendera që do të shkonin për investime në çështje sociale; për komunitetin rom, të verbrit e shtresat në nevojë. Të njëjtat burime theksuan se janë bërë dokumente pa bërë asnjë aktivitet.

Burime policore bëjnë me dije se ndalimi i sh-ministrit është bërë në shtëpinë e tij në Derviçan të Gjirokastrës, ndërsa po mbahet në ambientet e paraburgimit të policisë së këtij qyteti. Sipas informacioneve që përcolli gazetarja e News 24, Klodjana Lala, bëhet e ditur se ditën e sotme prokuroria e Përgjithshme kishte marrë një urdhër-ndalimi. Ndërkaq, nuk është konfirmuar nëse se gjatë natës Ksera do të transferohet në drejtorin e Policisë së Tiranës.

Ish-ministri është kallëzuar nga pasardhësi i tij, Erion Veliaj, i cili mori detyrën fill pas largimit të Kserës, duke parashtruar se ai kishte abuzuar me fondet publike. Fillimisht, Ksera ishte pjesë e PBDNJ-së, por para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 kaloi me Partinë Demokratike. Ksera, i takon minoritetit grek dhe ka lindur në Derviçan të Gjirokastrës, ndërsa ai ka studiuar për Inxhinieri.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: