Një shtetas italian 24-vjeçar me origjinë letoneze u arrestua në Viterbo, 80 kilometra në veriperëndim të Romës me dyshimin për terrorizëm. I riu posedonte materiale për paketimin e pajisjeve shpërthyese. Hetimi filloi me një raport nga Byroja Federale Hetimore (FBI).

I riu kishte postuar në mediat sociale disa vlerësime për Sayfullo Saipov, një terrorist islamik i cili më 31 tetor 2017 në Nju Jork me një kamion goditi dhe vrau tetë njerëz në një rrugë biçiklete.

Pas raportit të hetimit të Byrosë Federale, efektivët e Shërbimit për luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit të jashtëm të Antiterrorit kanë identifikuar autorin e postimit, i cili deri atëherë nuk ishte raportuar kurrë tek autoritetet e sigurisë, as për qëndrime radikale, ose për pozita ekstreme politike.

Ditët e fundit u bë një kërkim në shtëpinë e tij, ku morën pjesë edhe njësitë e qenve dhe efektivët e Policisë Postare. Policët kanë konfiskuar disa materiale për prodhimin e pajisjeve artizanale dhe një objekt kartoni cilindrik, i mbushur me një pluhur, natyra e të cilit ende nuk është përcaktuar, në të cilin ishin ngjitur disa monedha të përmasave të vogla.

24-vjeçarit gjithashtu i janë sekuestruar një pushkë dhe dy pistoleta me ajër të kompresuar, si dhe një seri pajisjesh kompjuterike. Shtetasi letonez u arrestua me akuzën për posedim të materialit të dobishëm për paketimin e mjeteve shpërthyese.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb