DURRES- Forcat e Sektorit të Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit mbrëmë kanë vënë në pranga vëllain dhe nipin e ish-shefit të Kundërzbulimit të SHISH-it, Isa Çopës, i cili u gjet i djegur brenda makinës së tij “Opel Korsa” më 24 tetor të vitit 2011. Mësohet se Halit Çopa dhe djali 20-vjeçar i këtij të fundit u arrestuan në banesën e tyre. 50-vjeçari akuzohet për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, ndërsa i biri për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, pasi i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 500 gr drogë.

Rreth orës 22:00, policia ka shkuar për kontroll në banesën e familjes Çopa, në lagjen nr.11 të qytetit bregdetar si dhe për të ndaluar djalin e kësaj familjeje. Menjëherë ka reaguar kryefamiljari, Halit Çopa, i cili u ka thënë policëve nëse kishin mandat kontrolli dhe përse po e shqetësonin në orët e natës. Pas kundërshtimit, blutë i kanë vënë prangat 50-vjeçarit dhe e kanë çuar në komisariat bashkë me të birin.

Ndërkaq, pjesëtarë të familjes Çopa deklaruan se policia ka dhunuar e rrahur djalin në sy të tyre. Nga ana tjetër, blutë janë treguar të rezervuar në dhënien e informacionit në lidhje me arrestimin e vëllait dhe nipit të Isa Çopës, vrasja e të cilit ka mbetur në kufijtë e misterit. Ndonëse kanë kaluar 5 vjet nga ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën e Currilave në Durrës, ende nuk është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i autorëve të krimit. Aktualisht dosja “Çopa” është në arkivën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.

NJOFTIMI I POLICISË
Durrës, më 09.08.2016
Specialistët për Narkotikët godasin një tjetër rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sekuestrohen 600 gram heroinë. Arrestohen në flagrancë dy shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë goditur një tjetër rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

• Julian Shaqja 25 vjeç, banues në Durrës, marinar në tragetin e anijes Durrës-Bari;
• Klevis Çopa 23 vjeç, banues në Durrës.

Arrestimi i tyre u bë pasi:
Më datë 08.08.2016, gjatë kontrollit të ushtruar shtetasve të mësipërm në pikën e kalimit kufitar të pasagjerëve në Portin Detar Durrës, në çantën e dorës së shtetasit Julian Shaqja iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale:
• rreth 600 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit Heroinë.

Në vijim të hetimeve u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit:
• G. Ç., 24 vjeç, banues në Durrës, organizator i trafikut të lëndës narkotike.

Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit:
• H.Ç., 56 vjeç, banues në Durrës, babai i shtetasit Klevis Çopa, pasi:
gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij ka kundërshtuar punonjësit e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotikëve” në bashkëpunim dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së Rendit Publik”.

(ma.ar/Gazeta Shqipare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb