Një oficer policie është arrestuar në lidhje me zhdukjen e një gruaje në Londër javën e kaluar, bëri të ditur Policia Metropolitane e Britanisë. Policia theksoi se fakti që burri është një oficer policie në shërbim është “tronditës dhe thellësisht shqetësues”.
Policia tha se oficeri u arrestua në Kent, në juglindje të Londrës, si pjesë e hetimit për zhdukjen e 33-vjeçares Sarah Everard, drejtore e marketingut, e cila u zhduk ndërsa po kthehej në shtëpi në këmbë nga banesa e një shoku në Londrër më 3 mars.
Oficeri i cili po mbahet në paraburgim nuk ishte në detyrë në kohën e zhdukjes së Everard, ndërkohë policia nuk tregoi se për çfarë u arrestua ai, ose nëse ai e njihte Everard. Policia theksoi se ai u arrestua së bashku me një grua e cila është mbajtur nën dyshimin për shkak se ndihmoi një shkelës.
Në pyetjen nëse policia beson se Everard është ende gjallë, ndihmës komisioneri Nick Ephgrave tha se detektivët po kërkonin me të gjitha forcat dhe “me të vërtetë shpresojnë në diçka të tillë”, raportoi BBC.
“Ky është një zhvillim serioz dhe domethënës në kërkimin tonë për Sarah dhe fakti që njeriu që është arrestuar është një oficer i Policisë Metropolitane në shërbim është tronditës dhe thellësisht shqetësues”, deklaroi Ephgrave para gazetarëve.//AA