Sanja Musiç Milanoviç, gruaja e Presidentit të Kroacisë Zoran Milanoviç, dyshohet se i ka bërë presion drejtoreshës së shkollës së mesme klasike të Zagrebit, Zdravka Martiniç-Jerçiç, në mënyrë që djalit të saj t’i ndryshonin notat, dy javë pasi shkolla kishte mbaruar.

Burime për median kroate Jutarnji raportojnë se ndryshimi i notave mund të konstatohet edhe në sistemin on-line, i cili është i aksesueshëm nga të gjithë mësuesit të cilët i kanë dhënë mësim djalit të presidentit.

I njëjti bashkëbisedues nuk ka mundur të thotë nëse dhe kur ka ardhur në shkollë Sanja Music Milanoviç, por ka konfirmuar se në mbledhjet e këshillit të mësimdhënësve nuk është diskutuar për këtë nxënës dhe notat e tij dhe as nuk ka pasur kërkesa zyrtare për rishikimin e notave.

Ndërkohë në një reagim mbi ngjarjen, Sindikatat e arsimit kanë deklaruar se “prekja” e notave pasi ato të jenë përfunduar dhe pasi të ketë kaluar afati ligjor prej 48 orësh nga shpallja e notës, në të cilën mund të kërkohet rishikimi i saj, është e paligjshme.

“Por gjithashtu, kjo ndodh më shpesh se sa do të mendohej për shkak të presionit të madh që prindërit u bëjnë mësuesve”, shton sindikata.

Nga Ministria e Shkencës dhe Arsimit kanë konfirmuar se kanë kërkuar deklaratë nga shkolla.

Musiç Milanoviç, në një letër drejtuar kryesisë së shkollës, të cilën Zyra e Presidentit ia ka përcjellë Jutarnji, thekson se, sipas saj, ka shumë parregullsi në lidhje me punën e mësueses së matematikës në fjalë.

“Dua të jem i qartë se asnjëherë me gojë dhe as tani me shkrim nuk kam kërkuar që nota të rrumbullakoset në notën maksimale, thjesht po kërkoj shpjegim për të gjitha parregullsitë e vërejtura që po bëjnë që studentët të dështojnë për sa i përket njohurive dhe notave, për të cilat nuk kanë faj dhe për të cilat nuk kanë mundur të ndikojmë as ata, as ne prindërit”, thotë në letër Zonja e Parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb