Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat me anë të një njoftimi për mediat njofton se ka arrestuar një punonjës policie, pasi ka marrë 1500 euro për t’i siguruar një personi diplomë në një universitet privat.

SHÇBA thotë se arrestimi i policit është bërë, pasi gjykata e kryeqytetit ka dhënë për të masën e sigurisë “arrest me burg”.

Njoftimi i SHÇBA:

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) arreston një punonjës policie të dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Arrestimi i punonjësit të policisë E. SH., 47 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, Komisariati i Policisë Nr. 2, Tiranë u krye me urdhër të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për ekzekutimin e Vendimit të kësaj Gjykate mbi caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.

Punonjësi i policisë E. SH. dyshohet se duke ndërhyrë tek personat me funksione, të punësuar në një universitet privat, mundësoi pajisjen me diplomë të një shtetasi, edhe pse ky i fundit nuk ndoqi për asnjë ditë proçesin mësimor, në këmbim të përfitimit të shumës prej 1500 eurove.

Arrestimi u krye në kuadër të Proçedimit Penal Nr. 3343, viti 2019, regjistruar nga Prokuroria Pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb