SHKODËR

Irfan Domnori, atleti shkodran 64- vjeçar është arrestuar sërish nga policia e Malit të Zi. Herën e parë në gjysmë të muajit nëntor Domnori u ndalua pasi kishte valëvitur flamurin shqiptar në Krajë dhe u gjobit me 300 euro si dhe një muaj për të mos hyrë në Malin e Zi. Pasi ka kaluar një muaj nga ky vendim i Gjykatës së Tivarit, Irfan Domnori është drejtuar sërish për në Malin e Zi për të marrë pjesë në një aktivitet atje dhe përsëri ka qenë me flamurin shqiptar.

Mbajtja e flamurit në një ekspozitë ku ka marrë pjesë atje i ka kushtuar edhe më rëndë 64 vjeçarit sepse policia malazeze e ka arrestuar për të dytën herë dhe ndryshe nga më përpara kur u mbajt për pak kohë tashmë janë bërë 7 ditë që shkodrani ndodhet i burgosur në Malin e Zi. Denoncimin e parë e ka bërë mikja e Irfan Domnorit Elida Jorgoni e cila shkruante se prej 6 ditësh askush nuk e kishte idenë se ku ndodhej dhe vetëm pas një denoncimi në policinë e Shkodrës për zhdukjen e papritur të tij është mësuar se është arrestuar nga malazezët por pa patur një informacion më të gjërë.

Një reagim ka bërë edhe ambasada shqiptare në Podgoricë duke bërë me dije se atleti shkodran është në burgun hetues në Spuzhë pasi është dënuar atje me 10 ditë burg. Hera e fundit që mikja e tij ka kontaktuar me Irfan Domnorin ka qenë data 26 dhjetor dhe shkodrani i ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë në një ekspozitë në Ulqin por me frikë që të udhëtojë me biçikletë siç bën zakonisht nga ndonjë aksident i mundshëm. Pas këtij momenti ka humbur kontaktet me të gjithë dhe më pas është mësuar se policia malazeze e ka arrestuar për të njëjtën çështje, mbajtjen e flamurit shqiptar edhe pse në mënyrë jo zyrtare malazezët pretendojnë se ndalimi për të hyrë në Malin e Zi ka qenë 60 ditor dhe jo 30 ditor dhe se Domnori ka kaluar ilegalisht.

Në Malin e Zi pak ditë më parë u miratua ligji për mbajtjen e simboleve shqiptare por ky ligj nuk ka hyrë ende në fuqi dhe policia malazeze e ka shfrytëzuar duke e arrestuar Domnorin për të dytën herë. Edhe pse ndodhet prej 7 ditësh në burg, institucionet në Shqipëri por edhe politikanët shqiptar në Malin e Zi nuk kanë bërë reagimet e duhura dhe nuk kanë ndërhyrë për ta nxjerrë nga burgu Irfan Domnorin pas këtij arrestimi nga policia e Malit të Zi.

“Irfani kaloi doganën dhe rezulton që nuk është regjistruar, kjo është për faj të doganierëve! Ai ndodhet në rrezik pasi në atë burg ka edhe shumë serbë! I bëj apel shtetit shqiptar të reagojë!”,- deklaroi sot bashkëpunëtorja e atletit shkodran në shoqatën “Foleja kombëtare shqiptare”, Elida Jorgoni.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb