TIRANE –Rreth një muaj pasi fitoi lirinë, Vladimir Gjuta është arrestuar sërish, këtë herë për dhunë në familje. Mësohet se 36-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij Ferid Gjuta, i cili ka marrë urdhër mbrojtje nga policia.

Burime për “News24” bëjnë të ditur se Vladimir Gjuta ka shfaqur probleme psikike dhe e ka rrahur të atin në banesën e tij në Kamëz. Për shkak të problemeve me shëndetin mendor, Gjuta ka shkuar disa herë për kontroll në spitalin Nr.5.

Vladimir Gjuta u lirua më 24 prill nga burgu i Elbasanit, ku qëndroi për disa muaj, si i dyshuar për shpërthimin e tritolit të telekomanduar në farmacinë e babait të ministri Saimir Tahiri.

36-vjeçari u lirua pas vendimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila pushoi procedimin penal ndaj shtetasve Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka, të dyshuar për veprat penale të “Veprave me qëllime terroriste”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.

Këta shtetas, së bashku me disa të tjerë, për të cilët janë pushuar hetimet më parë, kanë qenë të dyshuar si autorë të shpërthimit të tritolit të telekomanduar në biznesin “Farmaci” të Bashkim Tahirit, si edhe vendosjen e lëndës plasëse pranë një stacioni autobusi në zonën pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë, ngjarje të ndodhur duke gdhirë data 10.02.2015.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: