Duhej një fitore, por edhe disa gola diferencë: më vështirë se kaq nuk bëhej për Arsenalin, por “Topçinjtë” janë mësuar të fitojnë ndeshje të pamundura dhe të gabojnë të lehtat. Në Greqi, në një stadium të tejmbushur dhe të zjarrtë, Arsenali ka shëtitur ndaj Olimpiakosit vendas, duke fituar lehtësisht 3-0. Heroi i ndeshjes ishte sulmuesi francez Olivier Zhiru, autor i 3 golave, i fundit me penallti, që dekretoi edhe eliminimin e Olimpiakosit, sepse grekët edhe me 0-2 shpresonin, me një gol që i kualifikonte.

Gjithsesi, kaloi skuadra më e fortë dhe më në fund Arsenali u ngjit aty ku prisnin të gjithë, në momentin e duhur. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër, në Zagreb, luhej për “qejf” dhe ishte nata e bomberit Levandovski, i cili me dy gola në pjesën e dytë i dha një fitore pa lodhje Bajernit kundër Dinamos së Zagrebit, që e mbylli në vendin e fundit në grup.

Olimpiakosi shkon në Europa League, ndërsa Arsenali shoqëron Bajernin kryesues në turin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve. Roma është kualifikuar me shumë fat në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve, pas barazimit pa gola në duelin vendimtar ndaj BATE Borisovit në “Olimpico”, teksa Leverkuseni ishte tejet i pafat pasi nuk arriti që dominimin ta kurorëzojë me më shumë se një barazim prej 1-1 ndaj Barcelonës në “BayArena”.

Me fitore prej 2-0 kundër Portos, Çelsi e ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen e zhvilluar në “Stamford Bridge”, blutë krijuan epërsi që në minutën e 12-të, kur pas një goditje të Kostas, Ivan Markano shënoi në portën e tij. Goli i sigurisë erdhi nga Uillian (52′), i cili u asistua nga Eden Hazard.

Në ndeshjen tjetër të Grupit G, Dinamo Kievi mposhti Makabi Tel Avivin me golin e Denis Garmash (16′). Pas këtyre rezultateve, Çelsea me 13 pikë vazhdon garën nga kreu i tabelës, kurse Dinamo Kievi (me 11 pikë) kualifikohet si vendi i dytë. Porto do të luajë në Europa League, pasi ka zënë vetëm vendin e tretë (me 10 pikë).

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: