Maqedonia e Veriut shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare me 15 korrik, në një kohë që vendi përballet me pasojat e Covid 19. Në një interviste per emisionin Diplomaticus në televizionin News 24, analisti dhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Arsim Sinani analizon këtë proces duke e vënë theksin tek gara mes partive shqiptare. Sinani thekson se kreu u Bashkimit Demokratik per Integrimin Ali Ahmeti duhet të largohet nga politika.

“Zoti Ali Ahmeti dhe i bëj ftesë publike, ka ardhur koha që të dalë në pension nga politika. Nuk mendoj se ai është i aftë që t’i drejtojë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ia besuan atij verdiktin për 17 vite me rradhë dhe ai abuzoi dhe gjatë pandemisë së Covid 19, ai u mbyll ne fshatin e tij Zajaz dhe nuk u mor fare me Shqiptarët. Mendoj se ai është e kaluar e Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe sa më parë që Shqiptarët të lirohen nga mentaliteti i tij mendoj se do të kenë sukses. Po ju jap argumentet, të gjithë fëmijët e zyrtarëve komuniste dhe fëmijet e atyre që i shërbyen regjimit jugosllav dhe maqedonas, Ali AHmeti i bëri funksionarë dhe mendoj se ky është një gabim fatal sepse ai nuk është me përfaqësuesi i nacionalizmit dhe le të themi doktrinës shqiptare prandaj pensionimi i tij i shërben shqiptarëve për tu zhvilluar më tej dhe për tu bërë shteti i tretë i shqiptarëve në rajon.

I pyetur ne lidhje me atë se ëfarë nuk ka shkuar si duhet me qeverisjen e kaluar përballë shqiptarëve dhe çfarë duhet korrigjuar, Sinani thekson se shqiptarët patën shumë mundësi për shkak të numrave, por u luajt me një formë të defregmantizimit të opozitës e cila realisht ishte fituese e këtyre zgjedhjeve. “Kreret e dy partive kryesore Shqiptare, Aleancës dhe Beses, nuk arritën të kuptojnë se vetëm të bashkuar mund të përballeshin me doktrinen e BDI-se dhe me dinakërinë e Zaevit i cili mundohet t’i shfrytëzojë Shqiptarët si ata që ka me vete, por edhe partitë politike shqiptare dhe mendoj se këtu ishte defekti më i madh, por ajo që për mua është e rëndësishme. doktrina maqedonase nuk kishte fuqi që të operoj si më pare dhe shqiptarët ti përdorë për interesat e veta, por shqiptarët patën mundësi reale që në kushtetutën e Maqedonise së Veriut të vendosen si një popull ose komb themelues, por ky rast nuk u kap, por unë mendoj se një gjeneratë e përgjegjëshme që do të vijë do të ketë mundësi ta përmirësojë këtë.

Sipas Sinanit, qeverisja e kaluar kishte shumë probleme për shkak se pritshmrite ishin shumë të mëdha. Prokurorja speciale përfundon në burg ndërsa nga ana tjetër nuk shikojmë njerëz të dënuar të cilët e kanë dëmtuar demokracinë dhjetë vitet e kaluara. “Mendoj se perëndimi mban një pjesë të përgjegjësisë që elitat e korruptuara dominojne jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajon. Vazhdimisht perëndimi na flet neve për demokracinë ndërsa vazhdimisht mbështetjen publike ua jep pikërisht këtyre njerëzve të korruptuar. Ky është problemi me të cilën ballafaqohemi, me elitat e korruptuara që mbështeten në mënyre të heshtur nga perëndimi thekson Sinani për News 24.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb