Nga: FITNETE GRUDA*
Reformat kanë prekur të gjitha aspektet në sistemin arsimor dhe tashmë po arrijnë tek burimet njerëzore. Ky është një hap i rëndësishëm dhe i guximshëm dhe duhet vlerësuar pasi ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me shërbimet ndaj nxënësit dhe si çdo reformë tjetër ka për qëllim plotësimin sa më mirë të nevojave të nxënësve, sigurisht nëse bëhet pa selektime të cilat mund të vijnë ndër të tjera dhe për faktin se sa me realizëm e kanë paraqitur situatën drejtoritë e shkollave dhe DAR /ZA. Reforma duhet të përcillet natyrshëm në mënyrë që ajo të mos përcjellë pasiguri tek mësuesit dhe t’i shtyjë ata të vrapojnë për të bërë trajnime sa për të mbushur numrin e krediteve dhe kjo realizohet mendoj unë, nëse informacionet mbi të përcillen tek stafi pedagogjik, nga drejtoritë e shkollave. Natyrshmëria i ndërgjegjëson më shumë mësuesit për nevojën e këtij reformimi. Përpos i bënë të kujtojnë se deri tani reforma ka përfshirë legjislacionin, kurrikulat, infrastrukturën, por nuk ka patur një reformë ose të themi ende nuk është vënë në zbatim një reformim i burimeve njerëzore dhe pse teorikisht mund të jetë trajtuar hera-herës ekzistenca e mësuesve pa arsim përkatës,jashtë profilit,apo dhe më keq me diploma false. Në të vërtetë në vitin 2008 në qytetin e Tiranës nisi kjo tip reforme, ku u hoqën një pjesë shumë e pakët mësuesish pa arsim përkatës, përfshi këtu dhe mësuesit e “Punës me dru” në shkollat 9-vjeçare, pasi u hoq nga kurrikula kjo lëndë, por nuk u vazhdua më tej!! Sipas publikimeve të MAS-it në media duket që shifra e mësuesve pa arsim përkatës,jashtë profilit,pa ngarkesë mësimore është alarmante. Do ishte mirë nëse në këtë shifër do të përfshihej dhe kategoria me diploma false, e cila e dëmton më shumë arsimin dhe çdo sektor tjetër dhe pse identifikimi i mësuesve të kësaj kategorie nuk është i lehtë; për këtë kategori është folur shumë jo vetëm në media, por dhe opinionin publik, madje dhe kohët e fundit po flitet shpesh në media nga politikanë të lartë. Por duhet kuptuar nga të gjithë që të gjitha problemet nuk mund të zgjidheshin përnjëherë. Gjithashtu po flitet për futjen në proces licencimi të të gjithë mësuesve që aktualisht janë të punësuar në sistemin parauniversitar. Kjo do të ishte në funksion për t’i dhënë mësuesit një status të domosdoshëm, i cili të mos shkelet lehtë sa herë ndodhin ndryshime politike. Por unë mendoj që mënyra e licencimit të miratohet pasi të bëhen konsultimeve më të gjëra. Kjo do të shërbente për të gjetur zgjidhjen më të mirë dhe të pëlqyeshme nga mësuesit. Profesioni i mësuesit është profesion i rregulluar me ligj. Në nenin 4/a të Ligjit Nr.10 171,datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, thuhet: “Profesion i rregulluar” është një veprimtari apo grup veprimtarish profesionale, e drejta e ushtrimit të të cilave ose njëra nga format e ushtrimit rregullohet me ligj apo me akte nënligjore dhe kushtëzohet me një nivel të caktuar formimi ose me zotërimin e kualifikimeve profesionale të veçanta. b) “Kualifikime profesionale” janë kualifikimet e certifikuara me një titull studimi, një dëshmi aftësie ose një përvojë profesionale. Mësuesit pas 5,10,20 vite pune kryejnë kualifikimet zyrtare, ku certifikohen për kategorinë dhe shkallën e vlerësimit pas provimit përkatës. Nëse në licencimin e mësuesit nuk do të kenë një peshë të konsiderueshme kualifikimet e sipërpërmendura dhe shkalla e vlerësimit të tyre, atëherë mësuesi do të ndihet i pamotivuar. Sigurisht që suksesi i arsimit bazohet tek mësuesi i kualifikuar, por ajo që sot dëmton arsimin më shumë sipas meje, është tendenca e drejtuesve të papërgjegjshëm për të qenë shumë “humanë” aty ku serioziteti duhet i madh dhe papërgjegjshmëria dhe “zemërgjerësia” e madhe e mësuesve. Pikërisht këto duhen parë deri ku shkojnë. Mësuesi është transmetues njohurish, sigurisht që ai duhet të kualifikohet për t’iu përshtatur ndryshimeve të kohës, por ka raste që mësuesi ka shumë njohuri për vete, por nuk gjen mënyrën e duhur për t’ua transmetuar nxënësve këto njohuri, apo dhe më e keqja nuk dëshiron të “lodhet”; që do të thotë të nxënit varet nga mënyra se si mësuesi transmeton këto njohuri, mënyrën se si e organizon orën e mësimit, sa ai përgatitet për këtë orë, sa e shfrytëzon ai kohën mësimore, sa e respekton orën e mësimit, shpjegon apo jep njohuritë përciptas që nxënësit e tij t’i detyrojë për mësime private, a realizon orë fiktive, a bën vlerësime fiktive, për t’u treguar shumë “i dashur” me nxënësin apo shkaqe nga më të ndryshme,të cilat e fokusojnë nxënësin tek nota,jo tek dija. Të gjitha këto nënkuptojnë, sa i përkushtuar është mësuesi në punë. Kjo është e nevojshme të shihet me përparësi. Puna dhe serioziteti i pamjaftueshëm janë një ndër shkaqet e arritjeve jo të mira të nxënësve. Përgjegjës për këtë janë jo vetëm mësuesit e tillë, por dhe drejtuesit që shfaqin indiferentizëm ndaj këtyre mësuesve, e pakta të mos bëjnë pakte me mësuesit që lenë orë mësimi, futen me vonesë në mësim, mungojnë dhe shkruajnë tema mësimore të pabëra,që vijnë e largohen në shkollë pa respektuar oraret e caktuara(nuk flas këtu për raste të veçanta kur mësuesit mund ti jepet leje, por p.sh kur të njëjtit mësues dhe jo pak,largohen para orarit çdo ditë,etj etj këtu diçka nuk shkon);të jemi koshientë drejtuesi nuk mund të rrijë çdo orë mësimi të ndjekë mësuesin, ai vetë duhet të jetë i ndërgjegjshëm për punën e tij. Drejtuesit nëpërmjet kontrolleve (nëse ato janë ndihmës,jo me tendencë)dhe kualifikimeve të brendshme dhe të jashtme mund të ndryshojë situatën. Kjo kërkon drejtues të përkushtuar dhe të përgatitur. Për këtë ndihmon shkollimi i tyre për të drejtuar. Në të vërtetë ka shumë mësues që kanë bërë këtë shkollë,por deri tani nuk është marrë parasysh. Mësuesi duhet motivuar dhe vlerësuar që të rritë profesionalizmin e tij nëpërmjet kualifikimeve dhe vetëkualifikimeve. Por kjo nuk do të thotë se mungesat e kualifikimit të mësuesve mund të plotësohen për një periudhë disa mujore thjeshtë se duhen tani. Kjo mund të përkthehet “vrap” drejt trajnimeve me kredite për të mbushur kreditet, paçka se këto trajnime janë apo jo efektive në punën e tij. MAS në politikat arsimore ka dhe trajnimin e mësuesve i cili kërkon fondin përkatës. Kështu që DAR/ZA duhet të trajnojnë të gjithë mësuesit (jo të njohurit e inspektorëve dhe të preferuarit e drejtorive të shkollave të shkojnë në çdo trajnim siç ka ndodhur rëndom më parë) dhe se ku ka më shumë nevojë mësuesi duhet identifikuar dhe jo mësuesi të vazhdojë të trajnohet me lekët e tij dhe nga institucioni përkatës fare. Ka mësues që nuk iu është dhënë mundësia të trajnohen asnjëherë nga DAR. Kësisoj unë mendoj që duhet parë zhvillimi profesional i mësuesit në vite dhe në fund të fundit sa rezultativ është mësuesi paçka trajnimeve të tij dhe mbi bazën e tyre të bëhen trajnime ndihmëse. Arsimi dikur ka qenë shumë i kërkuar, tashmë është në fund të preferencave të të rinjve, në veçanti për matematikë. Kjo duhet të ketë një shpjegim dhe unë mendoj ndër të tjera,për pagën e tij relativisht të ulët,por dhe për faktin se të gjithë mësuesit të paguar njësoj, ku p.sh mësuesi i matematikës i paguar njësoj me mësuesit e tjerë kur dihen nga të gjithë veçoritë e kësaj lënde, madje dhe në pedagogji në trajtimin e hartimit të orarit mësimor thuhet që kjo lëndë të vihet orët e para, që tregon dhe një herë specifikat e saj. Po ashtu në normat e reja mësimore pas uljes së tyre, norma e mësuesit të matematikës dhe gjuhës është bërë e njëjtë me atë të p.sh historisë dhe biologjisë. Mësuesi i matematikës dhe i gjuhës në klasën e 9-të bën konsultime për provimet e lirimit dhe nuk janë paguar për vitin e kaluar, kur ndodh në disa shkolla që mësues të ndryshëm të plotësojnë ngarkesën mësimore me konsultime dhe të tjerë e bëjnë atë mbi ngarkesën mësimore!!;apo ndodh që konsultimet të futen në orarin mësimor si gjithë lëndët e tjera (në orë të dytë,të tretë etj) kur nxënësi nuk është i detyruar të frekuentojë atë. Atëherë përse do të shtyhet një i ri të përzgjedhë degën e matematikës!! Ligjet,urdhëresat që nxjerr MAS –i janë të vlefshme, por deri ku shkon respektimi i tyre duhet parë. Unë mendoj që arsimi kërkon përkushtim dhe ndërgjegje dhe reforma duhet të synojë ti rizgjojë ato. Me një të dëgjuar këto mund të duken si gjëra të rëndomta dhe fare të parëndësishme, por në thelb dëmtojnë arritjet e nxënësve dhe bëjnë që të mos ndihen mirë mësuesit e ndërgjegjshëm. Kësisoj dëmtojnë vlerat që duhet të përcjellë arsimi.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: