TIRANE- Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade në fjalën e mbajtur në Kongres u shpreh se PS është në një moment të rëndësishëm për të bërë një bilanc të qeverisjes së deritanishme por edhe për funksionimin e demokracisë së brendshme.

Dade kërkoi nga Kongresi që t’i hapet rruga për mbajtjen e zgjedhjeve brenda partisë për zgjedhjen e kryetarit. Gjithashtu nga ana tjetër, Dade foli edhe për dështimin e së majtës për të çuar para drejtësisë abuzuesit e qeverisë së kaluar.

“Mblidhemi në një momente të rëndësishëm pasi kemi kaluar ¾ të mandatit qeverisës. Është pjekuri politike të ndalimi dhe të reflektojnë çfarë kemi përmbushur nga programi dhe çfarë mund të bënim më mirë dhe nuk kemi pasur mundësi ta realizojmë dhe çfarë nuk kemi pasur mundësi as ta nisim dhe ta realizojmë. Kjo do të na jepte më shumë besueshmëri tek publiku dhe do të mbante shpresën se kjo mazhorancë e njeh realitetin. Pika jonë e referimit nuk është e djeshmja dhe as aktorët e së djeshmes. Ata dhe Berishën kemi dështuar t’i çojmë para drejtësisë, shpresoj ta bëjmë në të ardhmen”, u shpreh Dade.

Për debatin brenda PS­së, deputetja theksoi se duhen mbajtur zgjedhjet për kryetar duke kërkuar që dëshmohet se respektohen rregullat e miratuar nga të gjithë.

“Momenti është i rëndësishëm edhe për debatin brenda partisë. Të respektohen rregullat. Ose ndryshojmë rregullat ose krijojmë institucione paralele. Përgjegjësitë në të gjitha rastet mbeten kolektive. Të nderuar delegatë ju duhet të siguroni që ajo që ka ndodhur nuk duhet të përsëritet. Nuk duhen bërë hapa pas le ta nisim sot këtë sprovë të demokracisë, të vendosim të hapet gara për kryetarin e PS. T’i japim mandat kryetarit me një anëtar një votë që të na udhëheqë në zgjedhjet e ardhshme”, përfundoi Dade.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: