Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, komentoi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dade kritikoi qëndrimet dhe deklaratat e forta të Presidentit Donald Trump se po vidhen votat dhe se për këtë duhet ndërprerë procesi i numërimit.

Ish-ministrja shqiptare tha se nuk është normale që një President të bëjë deklarata të tilla në orën 2 të mëngjesit, ndërsa shtoi se ato mund të jenë bërë në një moment emotiv nga Trump.

“Është hera e parë që unë nuk ndodhem në një zgjedhje presidenciale. Më duket sikur jam ngulur para Tv dhe nuk bëj gjë tjetër. Jam munduar t’i ndjek për të kuptuar si kanë lëvizur gjërat. SHBA ka një sistem shumë të ndërlikuar, secili shtet ka mënyrën e vetë të votimit, por mesa duket, për shkak dhe të pandemisë, kanë lëvizur nga mënyra tradicionale. Trump kërkon të ndërpritet votimi aty ku mendon se mund të humbasë, dhe nuk e bllokon votimin aty ku sheh që po fiton. Kjo mendoj se është bërë në një moment emotiv, se të dalë një President në 2 të mëngjesit ta bëjë këtë. Sigurisht që ndodhin dhe parregullsi, por në përgjithësi ndërhyrja e politikës në zgjedhje sigurisht që është minimale.

Por me këto që kemi ndjekur tani, sidomos disa qëndrime të presidentit Trump të shprehura … kur një lider artikulohet, sigurisht që ka pasoja. Ai tha se do të ketë përplasje fizike, pra ishte si një mesazh për mbështetësit e tij. Është për të ardhur keq që ka një proces të tejzgjatur, por meqë edhe rezultati është i ngushtë. Duhet pjekuri dhe jo ngutje nga ana e politikanëve. Unë besoj se ato çfarë janë në tavolinë do të numërohen. Sigurisht Trump ka filluar procese gjyqësore, por në fakt këto duhet të fillojnë kur ka evidencë të qartë për parregullsi. Votimi është bërë brenda afateve që parasheh ligji, por votat mund të kenë mbërritur më pas”, deklaroi ish-ministrja Dade.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb