TIRANË- Ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi është ballafaquar sot në Prokurori me ish kreun e Interpolit, Artan Bajraktari i akuzuar se ka fshehur urdhër-arrestin e Interpol Belgjikës për deputetin Mark Frroku.

Ballafaqimi i tyre në Prokurorinë e Përgjithshme erdhi pas pretendimeve të Bajraktarit se e ka njoftuar Didin, për ekzistencën e një urdhër-arresti nga Belgjika për deputetin Frroku, ndërkohë që Didi ka mohuar se ka pasur dijeni të.

Pikërisht për këtë ngjarje Artan Didi dha dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërkohë që Bajraktari u shkarkua nga detyra, u arrestua dhe u përball ligjërisht me akuzat. Për të Gjykata e Tiranës ka dhënë masën “detyrim paraqitje”, duke pretenduar se ndalimi i tij ka qenë i paligjshëm.

Në përfundim të seancës së ballafaqimit që zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, Didi u shpreh se, nuk beson që do jetë më nevoja të shkojë për të dëshmuar në organin e akuzës. Ai theksoi se është njoftuar për urdhër-arrestin belg ditën që ka njoftuar Prokurorinë.

“Më 27 mars jam vënë në dijeni për urdhrin. Ballafaqimi është procedurë e prokurorisë. S’besoj se është e nevojshme të paraqitem më në prokurori. Ditën që ia përcolla prokurorisë, u vura në dijeni për urdhrin”, tha ai.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: