Teksa na ndajnë vetëm 1 muaj e gjysmë nga zgjedhjet e pjesshme lokale për 6 bashki, akademiku i njohur Artan Fuga ka analizuar situatën e asaj çka mund të prodhojë ky proces për politikën shqiptare.

Në një lidhje skype për rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Fuga pohoi se në këto zgjedhje do të ketë ballafaqim për shumë pikëpyetje që ka sot politika, ndërsa shtoi se do të jetë një test midis rivaleve në PD, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

Sipas Fugës, këto dy forca në PD do të ndajnë elektoratin, duke i sjellë avantazh PS-së.

INTERVISTA
1 muaj e gjysmë nga sot do të kemi zgjedhje lokale në 6 bashki. Çfarë do të thotë kjo për banorët e këtyre bashkive?

Për mua ka rëndësi në 3 aspekte. Për atë që thoni ju se çfarë rëndësie kanë për banorët, ka rëndësi se që nga bojkoti i zgjedhjeve nga ana e PD-së dhe e zotit Basha dy vite më parë dhe kaosi juridik, institucional që ndodhi në atë kohë, përfundimi ishte ky që në zgjedhje u shkua në të gjitha bashkitë vetëm me kandidatë të shumicës, të PS. Kishte një pjesëmarrje në votime, minimale. Është rasti që ky pushtet lokal i munguar në këto bashki të mëdha të rifillojë të aktivizohet, të jetë i ekuilibruar dhe legjitim. Po prapë kjo ka të bëjë edhe me një paketë tjetër, pasi në këto bashki ishte kjo gjendje, por prej kohësh nuk ka kryetarë bashkish legjitimë, janë ose me mandat të mbaruar ose të emëruar. Për mua ka rëndësi pasi këto zgjedhje do të jenë ballafaqim për partitë politike. Do jetë një test midis dy rivalëve në PD, po e quaj kështu atë fenomen të mbledhur në ‘Foltore’ dhe atij që quhet Këshill i Përgjithshëm që drejtohet nga zoti Basha. Do të ketë ballafaqim të veçantë dhe siç duket partitë politike janë të interesuara. Edhe LSI është e interesuar.

Do të jetë një ndeshje programesh apo do të jetë betejë brenda për brenda opozitës për të matur forcat?
Gjithsesi mendoj që nuk do të jetë një betejë programesh. E para sepse nuk ka kohë dhe ende nuk kemi kandidatë që do të kenë mundësi që të kenë shtjelluar këto programe. Ajo që është për të ardhur keq është se këto zgjedhje lokale do të bëhen mbi bazën e një kodi elektoral, i cili është i vjetruar, jashtë standardeve që kërkon demokracia moderne, që do i afrohej standardeve perëndimore. Nuk vajtoj faktin që nuk do të ketë programe, por që kemi të njëjtin kod elektoral dhe klasa politike vonohet që të bëjë një kod të ri. Do të kemi një zgjedhje akoma me atë hartë dhe me atë logjikë të ndarjes territoriale dhe organizmit të pushtetit vendor që është krejtësisht jashtë kohe. Siç e kanë pranuar dhe partitë kryesore në parlamentar që kanë thënë se; kjo ndarje territoriale duhet transformuar. Por që kjo gjë vonohet për shkak të tensioneve të tjera politike. Dhe ne shkojmë në zgjedhje me këto norma. Sa i përket faktit që me çfarë kandidatësh do të paraqitet ajo pjesë e PD-së që është rreth atij që quhet komiteti i Rithemelimit të PD, kanë tre mundësi. Mundësi e parë; që të paraqiten me kandidatë të pavarur. Ata mund ta bëjnë këtë gjë, por do të kishte efekte negative. Pasi do të tregonte që akoma më rëndësi ka kandidati se sa lëvizja. Do të zbehte identitetin e lëvizjes. Mundësia e dytë është; që të formohej një koalicion. Kjo do të sillte pasoja po ashtu. Shikoj që e treta; paraqitja si parti më vete brenda kësaj lëvizje, duket si e përjashtuar pasi ata në logjikën e tyre e anë shprehur se janë PD. Por ligjërisht, organizmat që administrojnë zgjedhjet, s’mund të shkojnë në PD që të kontrollojnë votat, pjesëmarrësit, pasi do të duhet të kalojë përmes gjykatës. Se di sa do ketë mundësi gjykata që të japë vendim, pasi do ketë mundësira për apelim. Shoh pikëpyetje. Procesi kam përshtypjen që do jetë i gjatë. Që do të jetë një ballafaqim midis këtyre dy grupimeve, kjo është e padiskutueshme.

Cili grupim do të dalë fitues?
Meqenëse s’do të ketë zgjedhje për këshillat bashkiake, mendoj se kjo situatë favorizon PS. Jo më kot PS i ka lënë pa zëvendësuar këta krerë të pushtetit lokal. Mendoj se gjykon se këto dy forca që pretendojnë të kenë PD, Lëvizja e Berishës dhe pjesa tjetër që identifikohet nga Basha, do të ndajnë elektoratin. Ato janë në ethet e pasionit. Do e shohim këtë gjë. Mund të jetë një analizë tjetër. Ata do të ndajnë elektoral dhe votat. Kjo gjë favorizon PS. Varet nga konteksti i bashkive, ndryshe në Shkodër, e Lushnjë. Mendoj se këto dy grupime do e ndajnë elektoratin, duke futur kështu dhe LSI. Por ka avantazh PS. Se sa do të dijë ta përdor, s’jam në gjendje ta them. Duke pasur pushtetin qendror prej 10 vitesh, kjo parti ka një lloj brejtje në besim. Mendoj se zoti Berisha dhe përfaqësuesit e tij, do shënjojnë me gisht zotin Basha duke thënë; Ja personi që ka pushtetin lokal. Zoti Basha do shënjojë me gisht zotin Rama dhe Metën dhe do thotë; ja kush janë 3 përgjegjësit për situatën. Duke përfituar dhe nga fakti se ai konsideron se ka pasur mbështetjen e SHBA dhe ambasadës amerikane për rastin e përjashtimit të zotit Berisha dhe për lëvizje të tjera. Në këtë mënyrë do të kemi një elektoral që do të qarkullojë brenda këtyre logjikave. Janë disa formulime politike të këtyre 2-3 muajve të fundit. Përfaqësuesit e zotit Rama do thonë; ja kush është opozita, dhe s’keni pse i besoni asnjërit prej tyre. LSI ka tendencë që të identifikohet në një nga këto grupime. Mund të shpresohet që një rol të madh të luaj individi. Se besoj se personaliteti i individit luan rol në qendrat urbane.

Forca të tjera duket se po e kanë të vështirë që të fitojnë terren në opozitë. Ju e quani politikën shqiptare të prapambetur. Pse është e prapambetur?
Ne mund të bëjmë shumë analiza, por është e prapambetur sepse politika moderne dhe politika e sotme në vende me demokraci të zhvilluar, politika është bërë politikë simbolike. Vendi i veprimeve fizike në rrugë, ‘e ndeshjeve fizike’, në politikën moderne e ka zënë fjala, ligji. Në kohën e sotme politika është bërë simbolike, ndërsa ne vazhdojmë që të dalim përtej ligjit, shkronjës, simbolit, votës dhe numrit, dhe të shkojmë drejt konfrontimet fizike. S’po bëj gjykatësin. Por kur ne ndodhemi para një situate të tillë, ishte shqetësuese ajo që dëgjova kur zoti president tha; isha gati që të shpërndaja parlamentin dhe qeverinë. Por mbi çfarë neni? Mbi çfarë kompetencash kushtetuese? Ai thotë se; PS donte të manipulonte që të merrte Gjykatën Kushtetuese. Dhe ai do të kishte qenë veprim përtej ligjit. Siç është rasti i 8 janarit, kur militantët e këtyre dy grupeve i gjuajnë me gurë njëri-tjetrit. Apo siç është ajo që dëgjuam mbrëmë se përtej një kompetence do të shkaktohej një gjendje jo ligjore që do të ishte e barabartë me një grusht shteti dhe unë them se këto janë kultura të Luftës së Dytë Botërore, ku popujt europianë u ndeshëm me armë dhe përtej ligjeve.

Në garën e 6 marsit, cilin aspekt apo ngjarje apo lokacion do keni kuriozitet për të parë?
Një; çfarë përfitimesh do nxjerrë PS nga thërrmimi i elektoralit dhe dy; cila do të jetë pesha e elektoralit nga njëra anë për lëvizjen për Rithemelimin e PD dhe nga ana tjetër ajo që quhet PD zyrtare. Sa do të jetë elektorali nga ata kandidatë të legjitimuar nga zoti Berisha dhe kandidatët nga zoti Basha. Këto dy elemente për mua janë më të rëndësishëm për të thelluar sado pak situatën kaotike në të cilën ndodhet politika.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: