Akademiku Artan Fuga foli në një lidhje me “Skype” në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, për zhvillimet brenda Partisë Demokratike.

Duke u ndalur te takimet e ish-kryeministrit Sali Berisha, Fuga tha se është përgjegjësi e Bashës dhe drejtuesve të PD, fakti që një pjesë e elektoratit nuk e gjen veten tek aksioni politik, por është bërë pjesë e “foltores” së Berishës.

Sa i takon thirrjes së vazhdueshme të kryeministrit Edi Rama për bashkëqeverisje, Fuga u shpreh se nëse Basha e pranon, do të rrënohet.

“Pyetja që ngre unë është nëse ka një pjesë të shoqërisë shqiptare, që është jashtë kontrollit politik, jashtë influencës së partnerëve tanë ndërkombëtarë. Deri tani ne këtë shenjë e kemi pasur vetëm në pjesëmarrjen në votime. Ka pasur një pjesë të popullsisë, që nuk merrte pjesë në votime, e cila me neutralitetin dhe bojkotimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, tregon se e refuzon sistemin e partive politike. Por, kjo ka qenë një pjesë e shoqërisë e heshtur, e paartikuluar dhe në pasivitet. E reja është tani se kjo pjesë e popullsisë shkon tani e mbush sallën, madje edhe artikulon.

Artikulon pakënaqësinë ndaj z. Basha, ku normal më parë ka artikuluar edhe pakënaqësinë ndaj z. Rama. Kjo është përgjegjësia e madhe e Bashës dhe e drejtuesve të PD tani, se pas disa vitesh në opozitë, kanë një pjesë të elektoratit, që është opozitare, por e gjen veten jashtë aksionit politik. Ata duartrokasin zemërimin e gjendjes sociale ku janë, por edhe zemërimin ndaj Bashës, dhe e treta është duartrokasin Berishën. Berisha ka vetëm dy rrugë, ose të tërhiqet nga lëvizja e tij, që mund të ndodhë, por deri tani nuk ka prova; por ai kërkon të marrë PD. E para, ai kërkon të ndeshet brenda arenës së vet dhe këtu është problemi, sepse këtë kontradiktë e la vetë Basha, që e përjashtoi nga grupi parlamentar, por e la në strukturat e PD”, tha Fuga.

Pyetje: Si e shikoni transformimin e Bashës nga rebel mbi barrikada, në delfinë të amerikanëve?
Fuga: Nuk besoj se ka qenë rebel, as delfin, është shpejt akoma, ka akoma prova për të kaluar Basha, në mënyrë që të fitojë besimin e aleatëve të Shqipërisë, në radhë të parë amerikanëve.

Basha aktualisht nuk është i qetë në vendimmarrje. Ai duhet të bëhet një lider. Ai ka presionin e foltoreve dhe dallgës që po i vjen. Ai nuk mund ta mohojë dot presionin përpara foltoreve, që tregojnë një mosbesim të militantëve dhe anëtarëve të PD ndaj tij. Duke pasur këtë presion dhe akuzat që i bëhen se është peng i Ramës, ai radikalizohet në Kuvend. Mirëpo, në Kuvend sado të radikalizohesh, është radikalizim me fjalë, sepse ai s’ka vota për të bërë më tepër. Nëse ai mbush letrën e Ramës për bashkëqeverisje, ai mbaroi. Rama e luan bukur prej 2-3 vitesh, duke i dhënë atë puthjen e helmit, dhe Basha ndodhet në këtë pozitë, që nëse bën një hap në atë drejtim, rrënohet nga ana tjetër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb