TIRANË – “Himni i kombëtares nuk është himni i kombit. – Këtë dallim të qartë e ka bërë sot, filozofi dhe publicisti Artan Fuga në një shënim të tijin. – Fakti që emocionohemi, na krijon bindjen se kemi energji pozitive për vendin, por duke e politizuar, nacionalizuar, kthyer futbollin në marketing politik, krijojmë iluzione,”- thekson ai.

Në një kohë kur në rrjetet sociale qarkullon kënga dhe videoklipi “Himni i kombëtares” i dy artistëve shqiptarë, Fuga “kthjellon ujërat” :

“Himni i kombëtares më emocionoi, por nuk më pëlqeu, – shprehet ai. Himni i kombëtares nuk është himni i kombit, o shokë. Ai ishte shumë i mirë për himn kombëtare bis.

Kombëtarja e futbollit dhe kombi janë dy gjëra të ndara. Rima me flamurin më të bukur në botë ishte perlë, nuk ka flamur më të bukur, por problemi aty, në futboll, nuk është flamuri, por topi… i futbollit.

Teksti është i zhvendosur semantikisht. Ka ndodhur një lajthitje tekstuale e quajme ne. I këndohet flamurit, por jo futbollit si sport, si urë miqësie me kombet e tjerë, si hapje e Shqipërisë drejt Europës dhe botës, si hymn për rininë, për trupin, estetikën e sportit.

Edhe po të na rrahin 6 me 0 në futboll, kombit tonë i marrin të keqen. Edhe po të fitojmë 100 me 0, në futboll kemi fituar, jo gjëkundi tjetër.

Himni i kombëtares nuk mund të lidhet me droning, sepse ai është një episod politik i veçuar pa lidhje me futbollin dhe nuk mund të politizohet me të. Kalimi i futbollit si një ngjarje politike krijon manipulim.

Presim ndeshjen tjetër për të menduar për kombin, kur kombi e thërret rininë drejt dijes, drejt punës, drejt kulturës dhe nuk gjen përgjigje. Fakti që emocionohemi, na krijon bindjen se kemi energji pozitive për vendin, por duke e politizuar, nacionalizuar, kthyer futbollin në marketing politik, krijojmë iluzione.

Kur shoh futbollistët e kombëtares që luajnë me klube të huaja, une për vete edhe hidhërohem : Si na i marrin gjërat më të mira? Por, pavarësisht kësaj, kombëtarja e futbollit që kemi është kompetitive, sa mirë po të kualifikohej…

Himni nuk më pëlqeu, por më emocionoi, kurse kombëtarja e futbollit më pëlqen…,”përfundon Fuga.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: