Akademiku Artan Fuga përmes një postimi në “facebook” tregon bisedën me një shitës në rrugët e Tiranës.

Mes të tjerash, Fuga përshkruan shitësin në rrugën e Ndroqit, teksa thekson se “Ka pamje të besueshme. Duhet të ketë qenë i pashëm kur ka qenë i ri. Ka veshur një palë shapka të mëdha prej plastiku. Zbathur. Flokët e paqethura, por i rruar mirë. Ka trup të gjatë ndryshe nga një pjesë e burrave të zonës para sesa të arrish te kthesa e kodrave të buta që shtrihen mbi detin para Plepave në Durrës”.

Mesazhi i Fugës:

Shalqi, speca, domate në rrugën e Ndroqit!
Ishte anës rrugës. Një tendë prej kashte. Në disa banaqe disi të sajuara ishin shtrirë fruta, perime nga më të ndryshmet.
Frenoj butë dhe futem të parkoj në të djathtë të rrugës, në një hapësirë disi përtej xhadesë.
– I ke tuat zotëri?
– Të gjitha. – më tha burri rreth të shtatëdhjetë e pesave.
Ka pamje të besueshme. Duhet të ketë qenë i pashëm kur ka qenë i ri. Ka veshur një palë shapka të mëdha prej plastiku. Zbathur. Flokët e paqethura, por i rruar mirë. Ka trup të gjatë ndryshe nga një pjesë e burrave të zonës para sesa të arrish te kthesa e kodrave të buta që shtrihen mbi detin para Plepave në Durrës. Jemi në rrugën e Ndroqit. Nuk dihet pse quhet kështu. Duhet të ketë qenë i rëndësishëm Ndroqi në ato kohë.
Zotëria e ka lëshuar këmishën mbi pantallona. Lëvizjet e duarve i ka pak të ngadalta.
Fiq më kanë mbetur këto shtatë kokrra. Edhe manat në tepsi sikurse i sheh po mbarohen. I grrijnë udhëtarët në makina që kalojnë këtej.
Shoh pjeshka, pjepra, shalqi, bishtaja, patate, patëllxhana, speca, domate, të gjitha të freskëta.
– Paske goxha ekonomi! – i them ndërsa ai peshonte specat.
Pas ishte ara e tij dhe më tutje një shtëpi goxha e madhe dykatëshe.
– Bereqatversën – më thotë pa më parë në sy dhe vendosi hurdhat në qese! Shyqyr arrita deritani ta mbaja djalin e vogël të mos më ikte në Itali. Dy çunat e tjerë dhe goca janë andej përgjithmonë.
Të të të rrojnë – i them. Po kilja e shalqinit? Nuk mbaj mend sa më tha.
– Mos kisha arrit me e mbajt me sherr e shamatà kët të voglin – aha këtu nuk do të kishte asgja!
– A hoqe shumë me e mbajt?
– Po shumë derisa e binda!
Në obor ishte një benz i zi. Zotnia nisi të bënte llogaritë mbi një copë letër. Numuronte ngadalë dhe diçka shkruante. Nëntëmbëdhjet mijë lekë – tha.
– Për atë Zot, shalqinin e ke të mirë, ta jap me provë!
– C’e dua provën mor burrë – i përgjigjem. Po çunin si e mbajte?
– Rroftë zakoni që prindët nuk lihen vetëm. Njeri do të rrinte. Ky mendjen andej e ka por hëpërhë e kam këtu. Unë e tërheq këtej, ke specat, domatet, shalqini, kurse shembulli i vëllezërve dhe i motrës e tërheq andej! Të shohim kush do ja dali! Por po iku edhe ky!!! Nuk ka me mbet gjë më ke unë. Ja sa të jem gjallë unë.
Mblodhi qepët në qese dhe m’i zgjati.
Mirëupafshim – i them.
– Poqese shalqini do të dali i mirë do të qendroj prapë rrugës tjetër, ndryshe nuk më sheh më!
– Mirëardhsh – më tha. Nga faqet e rruara i vinte një aromë e mirë solucioni pas rroje!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: