Akademiku Artan Fuga komentoi në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, në News24, arsyet e tkurrjes së popullsisë së Shqipërisë.

Për akademikun e njohur, arsyet kryesore të largimit të shqiptarëve nga vendi nuk janë as globalizmi dhe as gjendja e dobët ekonomike, por sipas tij, ka edhe shumë arsye të tjera, si dinjiteti, apo edhe regjimi i vizave për shqiptarët në Evropë.

“Arsyen nuk e gjejmë dot ne, as mediat, as analistët, as politikanët, por vetëm studimet. Nëse nuk studiohet ky fluks që largohet nga vendi, ne kurrë nuk kemi për të gjetur as arsyet, as mundësitë e zbehjes së tij, as edhe mundësitë që ai mund të japë për evoluimin e Shqipërisë. Ne duhet të dimë kush janë ata që ikin, meshkuj, femra, grupet e profesioneve, stinët kur largohen, etj. Tkurrja e popullsisë së Shqipërisë mund të vijë për dy arsye, për uljen e ritmit të shtimit të popullsisë, për shkaqe mekanike, dhe e dyta ka të bëjë me numrin e lindjes për 1 mijë banorë, që dhe kjo ka rënë për shumë arsye. Është një prirje që nuk ka filluar sot dhe unë mendoj që ka pasur një trend që nga vitet 1990, 2000, e që vazhdon edhe tani. Është një problem që tejkalon politikat.

Gënjeshtra, iluzione dhe propagandë që ndikon globalizmi, sepse nuk diskutohet që para vitit 1990 shqiptarët kanë qenë të mbyllur. Pa dyshim që lëvizja e lirë është një e drejtë qytetare, dhe e drejta individuale prevalon edhe mbi të drejtën e kombit. Në kohën përpara vendosjes së pushtetit autoritar, pra përpara 1945, kufijtë e Shqipërisë ishin të hapura. Sigurisht, kishte emigracion, por problemi ishte se ishte i kontrolluar, i matur, ishte i tillë që nuk vinte në rrezik fatet e kombit. Shqiptarët nuk iknin në mënyrë masive, pa kthyer kokën mbrapa. Pra, kemi një fazë para diktaturës, kur Shqipëria ishte e hapur dhe shqiptarët nuk iknin në mënyrë masive. Individin e mbajnë lidhjet shoqërore. Nëse këto lidhje shoqërore zbehen, atëherë shoqëria shpërbëhet. Dhe kemi një shpërbërje. Ne jemi në kushtet e një shoqërie nomade, kemi humbur një nga karakteristikat kryesore, atë që quhet sedetarizmi, pra vendosja, zënia rrënjë në një vend. Pra, nuk është puna fare te globalizmi, por faktori kryesor është lidhja sociale. I them këto për të dalë jashtë propagandës, për të çjerrë perden e propagandës, që prodhon iluzione.

Faktori ekonomik është një arsye, por nuk është shkaku, sepse nga të dhënat e mia të fundit, kam vënë re se po ikin njerëz që janë duarartë dhe për ta ka treg pune. Njeriu ka nevojë dhe për dinjitet, jo vetëm për ekonominë. Nëse ai nuk ka dinjitet dhe nuk i respektohet dinjiteti, sigurisht që ai humbet lidhjet me vendin e tij. Çfarë është dinjiteti? Që ai të pyetet për fatin e vendit. Nëse me dhjetëra mijëra lënë fshatrat e tyre, punën në bujqësi, do të thotë që ka humbur lidhja me punën dhe kur humbet kjo lidhje, njeriu bëhet një elektronik i lirë dhe largohet. Nëse këto lidhje sociale nuk funksionojnë, atëherë njerëzit ikin. Pra, unë them se nuk duhet të gjejmë një shkak, e të themi që është globalizmi apo gjendja e dobët ekonomike. Jo, nuk janë këto. Gjendja e dobët ekonomike ka qenë dhe në Evropë, por ata mbillnin patate dhe nuk iknin. Pra, nuk duhet të konsiderojmë probleme fataliste, por problem i madh dhe më i rëndësishme, që lidhet me politikat e jashtme, për mua është regjimi i vizave për shqiptarët në Evropë”, u shpreh Artan Fuga.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb