Universitetet publike dhe private kanë nevojë të : demokratizohen, menaxhohen teknikisht, mbajnë përgjegjësi për cilësinë e mësimdhënies!
Studentët, aq sa i njoh në auditore, nuk dëshirojnë thjesht dhe vetëm shpenzime të ulta për studimet, por mbi të gjitha shpenzime të drejta, pra në përputhje me cilësinë e mësimdhënies dhe të potencialit integrues të studimeve në tregun e punës.
Pa këto katër masa urgjente, gjithçka është e kotë:
1. – Decentralizim i tarifave, pra përgjegjësi e universiteteve për to ! Heqje e menjëhershme taksës mesjetare për provimet e mbartura, absurde dhe e dëmshme për funksionimin e universiteteve, lëre pastaj financiarisht që është zhvatje.
2- Të drejta studentore për përfaqësimin e tyre real dhe jo me kukulla në senate, dekanate, borde universitare! Vendimmarrja duhet të përfshijë realisht trupat studentore dhe pedagogjike dhe jo thjesht ca individë që nuk dihet se zërin e kujt përçojnë dhe cfarë legjitimiteti kanë për të marrë vendime!
3 – Kondicionim i grantit publik për universitetet në funksion të numrit të studentëve dhe arritjes të parametrave të cilësisë të mësimdhënies dhe jo me kritere burokratike nga agjenci jo funksionale!
Kështu universiteti publik kur me tarifa të larta rrezikon të uli numrin e studentëve, ai do të ketë si pasojë uljen e grantit publik, pra rrezikon të ardhurat e tij në krahun tjetër.
Nëse redukton kostot e mësimdhënies në kurriz të cilësisë, atëhere do të ketë si pasojë reduktimin e të ardhurave nga granti publik sepse nuk do të kishte plotësuar parametrat e cilësisë!
Ky është ekulibri!

Nëse ky ekuilibër si mekanizëm rregullator bllokohet, si tani, atëhere shpenzimet për arsim do të shkojnë në stratosferë kurse niveli i mësimdhënies dhe vlerave e diplomave do të shkojnë në puse të thella nën nivelin e detit.
4. – Rishikim i mënyrës të funksionimit të bordeve qesharake të universiteteve publike!
Pa funksion!
Kërkesa për të barazuar në këto borde qesharake numrin e antarëve që vijnë nga Ministria e Arsimit me numrin që vijnë nga IAL është krejt e gabuar.
Bordet në vetvete ashtu si funksionojnë dhe kompetencat që kanë janë qesharakë. Problem është bordi jo numri i antarëve të tij.
Futja e një studenti atje, në nje mekanizëm qesharak, është pa asnjë ndikim.
Duhet ndryshuar dhe reformuar tërësisht modeli i universiteteve shqiptare!
Ministria e arsimit ka shansin e madh që pakënaqësinë e studentëve, oh sa legjitime !!!, ta kthejë sot në një energji të madhe për modernizimin e sistemit financiar të universiteteve publike që sot është :
as mish as peshk!
Një simbiozë mes burokratizmit stalinist dhe gjoja tregut, por pa konkurrencë, pa matësa të cilësisë të produktit, pa të drejta të atyre që u propozohet produkti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb