Rektori i ri i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, foli për herë të parë pas marrjes së detyrës në studion e “News24” për punët e para që ka bërë dhe ato që e presin në vijim.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, rektori Hoxha tha se deri më tani ka bërë disa punë, por e para zyrtare është emërimi i dekanëve të fakulteteve në Universitetin e Tiranës.

Mes të tjerash, rektori i UT u ndal dhe te viti i ri akademik, në kushtet e pandemisë, duke thënë se mund të ketë shkurtim të orareve, kryesisht të leksioneve, si dhe shtim të pedagogëve.

“Është hera e parë që dalë në studio si rektor. Dua të falënderoj të gjithë personelin pedagogjik dhe studentët, që morën pjesë në procesin zgjedhor, që ishte ndër më të mirët e zhvilluar në Universitetin e Tiranës. Dua të falënderoj edhe Presidentin e Republikës, që pjesën formale të emërimit e zhvilloi në mënyrë të menjëhershme, duke bërë që të jemi me organet dhe personelin e ri në fillimin e vitit shkollor. Unë kam bërë disa punë, por e para formale zyrtare është emërimi, ai formaliteti që bëhet, i dekanëve të fakulteteve të UT”, tha Hoxha.

Intervista:

Pati rezistencë nga Koni, kur hytë në zyrë si rektor?
Do të bënte vepër penale, pasi askush nuk ka autoritetin të pengojë rektorin e zgjedhur.

Do merreni me zgjidhjen e problemeve që keni gjetur apo si do e vazhdoni punën?
Këto janë probleme për nesër, për sot janë dy probleme të mëdha: rifillimi i mësimit në kushte pandemie. Gjithë muaji shtator është muaj konsultimi në të gjitha fakultetet. Muaji tetor janë provimet që zhvillohen për të përmbyllur vitin akademik 2019-2020. Ndërsa në muajin nëntor nis procesi mësimor për vitin akademik 2020-2021. Kjo anomali është krijuar për shkak të virusit.

Si do nisë viti i ri akademik?
Aktualisht po përgatitemi me situatën që është sot, por nëse situata ndryshon, do ketë ndryshme. Do ketë koordinim të mësimit në salla dhe atij online, por këtë do na e tregojë zhvillimi i sëmundjes. Por, secila nga format që të zhvillohet për ne duhet të garantojë që të ketë sa më pak përhapje të virusit.

A mund të shkohet te mësimi me turne?
Ne kemi mësim paradite dhe pasdite. Ajo që do të kërkohet është që oraret e mësimit të jenë më të shkurtra, sidomos të leksioneve, të kërkohet përfshirja e më shumë pedagogëve në procesin mësimor, do përdorim të gjitha sallat që kemi. Aktualisht ne kemi një protokoll të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë, nëse do të kemi protokoll të ri, sigurisht që do ta zbatojmë.

A mund të zbatohet distanca 1.5 metra?
Ne do respektojmë ato distanca që janë të shëndetshme për pjesëmarrësit në grumbullime.

Kush janë detyrat që prisnin dhe që mund të jenë dhe të vështira?
Kemi filluar procesin e pranimeve të reja në universitet, që mbaron më 31 tetor dhe që nxjerr fituesit e kandidatëve për të ndjekur programe të caktuara të nivelit të lartë. Universiteti i Tiranës ka 5075 hyrje të reja, 360 më pak studentë se viti i shkuar akademik. Aplikantë janë rreth 60 mijë, që do të thotë se vazhdojmë të ruajmë rendin e një vendi me 10 kandidatë. Konstatojmë me kënaqësi dëshirën e studentëve për të ndjekur studimet në UT. Iu them kandidatëve të mos nxitohen me regjistrimet, kanë disa opsione për të zgjedhur, të mos i zërë paniku. Duke pritur mendoj se do e kenë mundësinë ta zgjedhin atë që duan.

Pse ka më pak kandidatë këtë vit?
Janë shumë elementë, ato të cilësisë në arsimin e lartë, ambientet në dispozicion, etj. Dicka që unë do ta bëj shpejt, do të thërras Konferencën e Rektorëve, pasi këta kanë disa detyrime ligjore, janë përfaqësues të arsimit të lartë. Konferenca e Rektorëve do të jetë e unifikuar, me qëllim që të rrisë presionin ndaj qeverisë, institucioneve, etj. Do jetë një armë e fortë në duart e arsimit të lartë në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb