Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Rreth 5 mijë shtëpi në Bashkinë e Kamëz, e cila përmbledh edhe zonën e Paskuqanit nuk do të legalizohen për shkak të planeve urbanistike të miratuara nga bashkia e këtij qyteti. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, në një takim me banorët e zonës.

“Kjo zonë ka shumë problematika, të trashëguara dhe të reja. Për shkak të planit rregullues të miratuar nga bashkia Kamëz, rreth 5 mijë familje të kësaj zone qëndrojnë jashtë procesit të legalizimit”, tha Lame. Sipas tij, Kamza është zona më e vjetër dhe zona me e madhe informale e vendit. Ndërtimet pa leje në këtë zonë kanë nisur që në vitin 1991.

“Kjo zonë mbart të gjitha problematikat që mbartin të gjitha zonat e tjera informale të vendit. Sot Bashkia e re Kamzës përmbledh brenda saj edhe Paskuqanin, që e zmadhon më shumë si sipërfaqe dhe si problematikë. Në këtë kuadër, ne menduam që pas zgjedhjeve vendore të fundit, ta ndryshonim formën e organizimit të Drejtorisë së Tiranës, duke e ndarë në një drejtori më vete, atë të Kamzës, për shkak edhe të problematikës që kishte, edhe për të qenë më pranë qytetarëve në këtë zonë. Drejtor i kësaj zonë është Paulin Rajta, një dibran i vjetër, banor i kësaj zone që vazhdon prej kohësh të ndjekë problematikat e këtushme”, tha drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Sipas kreut të ALUZINI-t, problemi më i vjetër është me hipotekën. “Jemi duke gjetur disa zgjidhje që thjeshtojnë procedurat për marrjen e tapive”, tha Lame në takimin me banorët e zonës së Kamzës. Sipas ligjit, kur ndërtimi pa leje disponohet nga një subjekt, kontrata e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore dhe objektit që legalizohet regjistrohen në emër të subjektit që disponon objektin.

Ndërsa në rastin kur ndërtimi pa leje disponohet nga më shumë se një person fizik ose juridik, regjistrimi i pjesëve takuese mbi pasuritë (parcelë dhe objekt) kryhet në pjesë të pandara, ideale, sipas numrit të subjekteve; në pjesë takuese të ndara, sipas marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet subjekteve lirisht dhe të depozituara brenda afatit të vetëdeklarimit. Subjektet mund të përcaktojnë përveç pjesës takuese, edhe pjesët fizike respektive, nëse ndërmjet tyre përputhet vullneti.

Lejet
Rreth 50 mijë ndërtime informale do të pajisen me leje legalizimi gjatë vitit 2016. Kostoja për pajisjen me tapi të shtëpive dhe ndërtimeve ekonomike do t’i shkurtojë buxhetit të shtetit rreth 513.2 milionë lekë, të cilat do të shkojnë për kryerjen e procesit të legalizimit dhe të përpunimit të informacionit tekniko- ligjor. Për vitin 2015 janë mbyllur praktikat e legalizimit për 22,000 objekte. 81% e tyre janë objekte me funksion banimi dhe vetëm 19%, objekte me funksion biznesi, duke e çuar kështu numrin e objekteve të legalizuara në dy vitet e fundit në rreth 37,000.

Paralelisht me procesin e legalizimit do të punohet edhe për urbanizimin e zonave informale. Për vitin 2015 janë investuar 404 milionë lekë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve për urbanizimin e tri zonave informale përkatësisht, lagja “Kushtrimi” në Vlorë, në Kënetë të Durrësit dhe lagja “18 Tetori” në Lushnjë, nga ku përfituan rreth 20,000 banorë. Projektet për urbanizimin e zonave informale do të vijojnë edhe përgjatë vitit 2016, me financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve apo edhe donatorë.

Ndërtimet pa leje që përjashtohen nga legalizimi
Në fillim të prillit, me një vendim të posaçëm, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar ndërtimet pa leje që përjashtohen nga procesi i legalizimi. Objektet përjashtohen nga procesi i pajisjes me leje kur:
1. Janë në afërsi të rrugës, ose ato që shkelin kufirin e përcaktuar në Kodin Rrugor. Është hequr distanca 100 metra që duhet të kishin objektet nga akset rrugore, në mënyrë që të mos penalizoheshin. Kjo fashë do të jetë në përputhje me Kodin Rrugor.
2. Shkel distancat e lejuara të rrugëve ekzistuese.
3. Cenon sistemin, ose shkel brezin mbrojtës të vijës hekurudhore ekzistuese funksionale, të nivelit kombëtar.
4. Është ngritur brenda vijës kufizuese të parcelës ndërtimore të ndërtesave publike.
5. Është ngritur në zonën e sigurisë së centraleve prodhuese të energjisë elektrike, nënstacioneve elektrike, ose shkel brezin mbrojtës të sistemit të linjave ekzistuese të interkonjeksionit.
6. Është ngritur brenda zonës mbrojtëse të objekteve të trashëgimisë kulturore, zonë-muze, ansambël-muze, qendër historike dhe park arkeologjik, zonë arkeologjike “A”.
7. Cenon vëllimin ose pamjen e jashtme të monumentit të kulturës, të kategorisë II.
8. Është ngritur brenda zonave dhe/ose nënzonave të mbrojtura, apo zonave të ruajtjes së veçantë.
9. Është ngritur brenda territorit/vijës kufizuese të parcelës ndërtimore të ndërtesave objekt kulti, përveç rasteve kur posedues/subjekt ndërtues është vetë institucioni fetar.
10. Është ngritur mbi ose shkel brezin mbrojtës të tubacionit të gazsjellësit, naftësjellësit, aeroportit, portit apo cenon sigurinë e digave të mëdha.
11. Preket nga projektet e infrastrukturës rrugore dhe të sistemeve të linjave energjetike të interkonjeksionit, të miratuara nga autoritetet qendrore të planifikimit të territorit (KKT).
12. Është ngritur brenda distancës në të cilën nuk lejohen ndërtime, nga brigjet e deteve dhe liqeneve, të përcaktuara në dokumentet e planifikimit të territorit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: