TIRANE – Zv/ kryetari i PDK-së në Lezhë ka reaguar pas shkrimit të kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame për pllakën e Sulejmanit në Kalanë e Lezhës. Sipas Ndocajt, Lame është person non grata në Lezhë, pasi ka ofenduar rëndë gratë e lezhianëve.

“Artan Lame ka ofenduar rëndë gratë e lezhjanëve e gjithë shqiptarët. Nga sot ai është person i padëshiruar në Lezhë. Ai do të jetë i dëshiruar vetëm kur të vijë në Lezhë e të kërkojë të falur grave lezhjane duke qarë para varrit të Gjergj Kastriotit, shpëtimtarit të kombit shqiptar,”- tha Ndocaj.

Një ditë më parë, në një shkrim me titull “Je suis Sulejman”, Artan Lame shkruan: “Po bëhet një javë që të gjithë patriotët e stadiumeve i janë lëshuar pllakës së Sulejmanit, duke harruar që gjithë gratë e tyre çdo pasdite kselhasen e qajnë duke parë telenovelat me Sulejman. I janë lëshuar me gjithë patosin e shpirtit, sikur të jenë të bindur që ditën që do hiqet ajo pllakë, Lezha do lulëzojë e do ndritojë si asnjëherë. Sikur ditën që pllakën do ta bëjmë copë e thërrime, do zhduken vetiu ndërtimet pa leje, do ringrihen muret e rrënuara të kalasë, nuk do vidhen më shtyllat e elektrikut që ndriçonin kalanë, do pastrohet Drini nga pisllëku e qelbësirllëku, do çlirohet vendvarrimi i Gjergjit nga ndërtimet që po i zënë frymën, do restaurohen muret ilire që vazhdojnë të copëtohen për gurë, do hiqen antenat e telefonave që kanë shpartalluar Akrolisin antik, e ç’t’u them tjetër.”

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: