Qeveria ka nisur proçesin e regjistrimit të pronave në bregdetin jugor të Shqipërisë. Kjo është hera e tretë që synohet të bëhet ky regjistrimi në këto zona, të njohura për konfliktet e pronësisë dhe problemet komplekse me zhvillimin e investimeve turistike. Sipas drejtuesve të Agjensisë së Kadastrës proçesi pritet të zhvillohet në disa faza dhe fillimi lidhet me mbledhjen e dokumentacionit nga vetë pronarët. Proçesi ka ngjallur reagimet e shoqatave të pronarëve, por edhe vetë banorëve.

Qeveria nisi proçesin e regjistrimit të pronave në bregdetin jugor nga Vlora në drejtim të Sarandës. Këto zona njihen për problematikat komplekse me çështjet e pronësisë, por edhe me ardhmërinë e investimeve të rëndësishme turistike. Drejtori i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame thotë për Zërin e Amerikës se proçesi pritet të përballet me mjaft sfida.

“I gjithë proçesi i regjistrimit të pronave në bregdet është një sfidë e madhe. Është një sfidë që shteti e ka humbur dy herë, deri tani. Pra, në të gjithë zonat kadastrale të Bregut që përfshin zonat nga Vlora në Sarandë është nisur dy herë pasi ka filluar që në vitin 1994. Të dy herët ka dështuar, një herë sepse filloi në mënyrë amatore dhe një herë tjetër sepse u la në mes. Kjo është hera e tretë”, thotë ai.

Zoti Lame thotë më tej se fazat e regjistrimit do të përfshijnë tetë zona kadastrale që përfshijnë zonën bregdetare ku ka filluar mbledhja e dokumentacionit.

“Janë 8 zona kadastrale që përfshijnë gjithë fshatrat e Bregut, në të cilat ne kemi filluar prej rreth një muaji mbledhjen e dokumentacionit,takimet dhe informimin me publikun“, thotë ai.

Zoti Lame thotë se një nga sfidat është mosbesimi i vetë banorëve:

“E them hapur, me siklet, por hapur ama, se ka shumë mosbesim se kanë kaluar 26 vjet që nuk përfundon proçesi, janë zhgënjyer të paktën dy herë deri tani nga shteti. Por kësaj i shërben edhe vatja jonë në terren, takimit me njerëzit për t`ua bërë të qartë që rrugë tjetër nuk ka”.

Proçesi thotë më tej zoti Lame po mbulohet nga Drejtoria Qëndrore e Kadastrës dhe jo Kadastra e Vlorës për shkak të problemeve që ka ky institucion.

“Për shkak të problematikave që ka pasur dhe ka Kadastra e Vlorës ky proçes nuk po ndërmerret nga Kadastra e Vlorës por drejtoria qëndrore në Tiranë. Ekipet tona janë në terren prej një muaji Nga gjithë takimet që kemi bërë u kemi thënë njerëzve që keni një afat dy mujor ku do bëhen të gjitha matjet në terren”, thotë ai.

Ndërkohë, vetë banorët por edhe shoqatat e ish pronarëve e kanë pritur me mosbesim proçesin. Anëtari i Kryesisë së Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Gëzim Boçari thotë se regjistrimi i pronave në Shqipëri duhet të zbatojë detyrimet kushtetuese.

“Të regjistrohen konform detyrimeve kushtetuese, pra konform Nenit 181 , prona të jetë e blerë e dhuruar ose e trashëguar. Aktet e pronësisë që janë në shkelje të këtyre parimeve nuk regjistrohen. Avokati i Shtetit i çon në gjykatë dhe i anullon , se s`mund ti anulojë me dëshirën e tij , ato që janë në përputhje me kushtetutën, regjistrohen”.

Zoti Boçari thotë më tej se regjistrimi pronës duhet të jetë me një standart për gjithë Shqipërinë dhe kjo zhduk edhe korrupsionin në drejtësi.

“Prona duhet të jetë me një standart për regjistrimin për gjithë Shqipërinë, jo vetëm për jugun por edhe për veriun. Dhe kështu plotësohet një nga kushtet edhe për minoritetin, edhe për mazhorancën dhe futemi në Europë. Dhe kjo zhduk korrupsionin edhe në Drejtësi sepse shumica e gjyqeve janë për pronën, mbi 75 % e tyre. Burimi i korrupsionit është prona”, thotë zoti Boçari.

Zoti Boçari shpreh dyshimet e para që lidhen me fillimin e proçesit të regjistrimit në zonën bregdetare.

“Ka për dyshime për deri sa thuhet “do të vendoset kjo”, “do regjistrohet ajo”, “kjo do legalizohet”. Të gjitha duhet të kalojnë në filtrat e Nenit 41 dhe 181 të Kushtetutës. Por e ka marrë ai tjetri, ka 20 vite që e ka marrë por ai nuk quhet pronar, ai mund të kalojë përdorues. Pronari është ai që e ka pasur para vitit 45 dhe shteti i diktaturës ia mori për efekt të ligjeve të diktaturës së proletariatit, sepse prona private ishte shpallur “armik. Pra të drejtën e pronës e ka ai, nuk mund ta ketë shteti. Kryeministri, cilido qoftë, Edi Rama që është sot, ai që ka qenë dje, ai që do vijë, është administrator, nuk është pronar i Shqipërisë”, thotë ai.

Problemet e pronësisë shihen si mjaft komplekse, jo vetëm për banorët por edhe ardhmërinë turistike të zonës së bregdetit. Një seri investimesh ballafaqohen shpesh me konflikte pronësore, si me individë apo fshatra të tërë, ndërkohë që shumë prej tyre kanë vite që presin zgjidhje në gjykata./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: