Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – A mund të bëhet art me dy grosh?! Nëse misioni i artit është të ngrejë pikëpyetje, apo të nxisë debate, për fat të keq, këtë herë është vetë arti dhe ekzistenca e tij, që vihet në pikëpyetje e ngre debat. Në një vend ku mungon një muze i artit bashkëkohor, e me një skenë të vakët të këtij arti, reflektimi nëse duhet mbajtur apo jo ekspozita dhe konkursi ndërkombëtar i artit pamor “ONUFRI”, vijon. Në kuadër të këtij reflektimi, një tryezë diskutimi mbahet të hënën me të ftuar të fushës. Një aktivitet i Ministrisë së Kulturës që prej 20 vitesh zhvillohej në Galerinë Kombëtare të Arteve, shënoi sivjet mungesën e parë. Artistët, të shumtë në numër, nuk ngurruan ta kundërshtonin ndërprerjen e kësaj tradite, ndërsa Ministria e Kulturës, e cila premtoi mbajtjen e një takimi për këtë çështje në muajin dhjetor, e shtyu, deri tani.
Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, vjen në një intervistë, ku tregon për herë të parë, qëndrimin e tij për konkursin dhe ekspozitën, që mban emrin e një prej ikonografëve më në zë shqiptarë, Onufrit. Diku, ai premton se do ta mbajë këtë aktivitet, edhe nëse një ditë mbështetja e ministrisë do të mungojë, ndërsa rendit edhe arsyet pse nuk duhet mbyllur. Shabani, nuk pranon të ketë përplasje me ministrinë, ndonëse një konkurs që duhej të kishte filluar në dhjetor, nuk dihet ende nëse do mbahet, as tani që jemi në fundjanar.
Ndërkohë që ka kaluar një periudhë e gjatë reflektimi, mbi mbajtjen ose jo të Konkursit Ndërkombëtar të Arteve Pamore dhe ekspozitës “ONUFRI”, pritet që të hënën të mbahet një tryezë diskutimi për të, në fakt një tryezë që duhej mbajtur në dhjetor. Kush është ftuar të marrë pjesë?
Siç ju e dini, tryeza do të mbahet në datën 26 janar, në Ministrinë e Kulturës, e cila ka ftuar disa emra nga skena e artit shqiptar, siç janë ish-drejtues të GKA-së, kuratorë nga Shqipëria, Kosova, si edhe artistë. Do jenë rreth 40-50 vetë që do flasin për “ONUFRI”-n.
Cili është synimi i kësaj tryeze?
Nga kjo tryezë pretendojmë që, përveç konkursit të “ONUFRI”-t, që është i përvitshëm e me një traditë 20-vjeçare, të dalim me një këndvështrim të përbashkët. Unë kam pasur fatin e mirë që të prezantoj edicionin e 20-të të “ONUFRI”-t, kuruar nga Claudio Cravero në GKA. Pritet që kjo tryezë dialogu, të jetë një tryezë ku skena e artit manifeston shqetësimet në tërësi, të flitet për pikën ku ndodhemi, pra ku është sot arti shqiptar, cilat janë ekzigjencat, pikat e forta, pikat e dobëta, marketingu muzeal, e një seri gjërash të tjera. Specifikisht, sa i takon “ONUFRI”-t, do të diskutohet, dhe do të dalim në një këndvështrim më të plotë, më të qartë për të.
Praktikisht, rezultat i tryezës, a do të jetë mbajtja e një “ONUFRI” para dhjetorit?
Jam shumë kurioz të di që tani se cili do të jetë rezultati i tryezës. Aty, secili i ftuar nga Ministria e Kulturës, do të shpalosë këndvështrimin e vet për artin pamor, atë shqiptar e ndërkombëtar. Secili ka idetë e veta, e ne do të jemi aty që t’i dëgjojmë ato. Mbasi kjo të mbahet, do të dalim me një rezultat.
Do të merrni pjesë në një tryezë dialogu ku do rrihen mendimet për atë që do bëhet me një aktivitet me dy dekada jetë. Besoj, ka mjaftuar reflektimi i deritanishëm për të pasur një ide. Ju vetë, si drejtor i GKA-së, jeni pro apo kundër mbajtjes së “ONUFRI”-t?
Meqenëse pyetja është e drejtpërdrejtë, sigurisht edhe përgjigjja ime është e tillë. Qëndrimi i titullarit të një institucioni do të jetë serioz, i qartë për t’u artikuluar në opinion edhe sa u takon pritshmërive të artistëve.
Qëndrimi im, edhe si artist, edhe si titullar institucioni, është që një traditë nuk duhet të humbasë, sidomos në Shqipëri. Di që ne e kemi skenën e artit, shpesh edhe të vakët do të thosha, sepse nuk kemi shumë struktura që promovojnë artin bashkëkohor. Nuk është se në Shqipëri ka një rrjet muzeal për artin bashkëkohor, madje s’ka ende një muze të artit bashkëkohor. Jam për një përgjigje “Po”, sa i takon pyetjes suaj. Pra, unë jam që “ONUFRI” të bëhet, të ketë një vazhdimësi. Unë nuk shikoj një arsye që ai të mos bëhet.
Nëse tryeza do thotë që ai të mbyllet, a do e vazhdojë GKA e vetme? A mundet ta bëjë dhe a do ta bëjë?
Ju e dini shumë mirë që Galeria Kombëtare e Arteve e bëri e vetme edicionin e 20-të të “ONUFRI”-t. Ne nuk kemi pasur një buxhet enkas për të, dhe bëmë ç’ishte e mundur, duke marrë një pjesë të fondit të projekteve për ta mbajtur atë.
Pra, po thoni që do e mbani “ONUFRI”-n edhe vetëm?
“ONUFRI” në statutin e vet parashikon që për të, ka një fond enkas. Ai është një aktivitet që ka buxhetin e vet, por që ne me sforcim maksimal e realizuam dhe ia ofruam skenës së artit shqiptar, pa e pasur këtë fond.
Nëse Ministria e Kulturës vendos të mos ketë më një konkurs Ndërkombëtar të Artit Pamor si “ONUFRI”, së paku me mbështetjen e saj, ju, do e bëni atë?
Unë mendoj se Ministria e Kulturës, është e predispozuar t’i japë zgjidhjen më të mirë të mundshme pritshmërisë që kanë artistët dhe këtë gjë unë e them pa rezerva. Ministria kërkon t’i japë zgjidhjen më të mirë të mundshme skenës së artit pamor dhe këtë e ka treguar gjatë vitit 2014. Unë kam energjinë, optimizmin, pasionin dhe mundësinë që “ONUFRI”-n ta bëj edhe pa fonde, por, sigurisht me pak reduktime, për shembull pa dhënë një çmim 5 milionë lekë (të vjetra), siç ia dhamë vjet Silvia Agostinit, ndërsa katalogu duhet patjetër, qoftë edhe modest.
A është “ONUFRI” një temë që po sjell përplasje mes Ministrisë së Kulturës dhe Galerisë Kombëtare të Arteve?
Jo, deri tani jo. Flas nga eksperienca ime, që deri tani me Ministrinë e Kulturës kam pasur një politikë dialogu, kam pasur një marrëdhënie korrekte, absolutisht mirëkuptimi. Kemi bashkëpunuar dhe vazhdojmë ta bëjmë. Kemi pasur edhe periudha tepër të ngarkuara, siç ishte vizita e Papës apo 70-vjetori i Çlirimit, që i kemi tejkaluar dhe e kemi bërë këtë me një rezultat të mirë. Për të bërë politika kulturore, Ministria e Kulturës është vendimmarrëse, sepse ne jemi një institucion nën varësinë e saj, por, kur forcat mblidhen, jepet maksimumi.
Kur u vendos të mos bëhej, ju, a u pyetët nga ministria?
Nuk është vendosur të mos bëhet, ndaj kemi tryezë të rrumbullakët.
Që nga momenti kur ka dalë lajmi se “ONUFRI” nuk do bëhet, e deri më tani, artistët në media të ndryshme kanë dalë kundër rrënimit të kësaj tradite. Praktikisht kjo do jetë edhe ideja që do përcillet në tryezë…
Unë nuk e di se ç’mendime kanë ata që do vijnë në tryezë, pro, kundër, nëse mendojnë për një tjetërsim, apo një rikonceptim. Ju më pyetët për idenë time dhe ajo është që “ONUFRI” të bëhet. Artistët kanë të drejtë të shprehin opinionet e tyre. Jemi në një vend demokratik, ku artistët mbi të gjitha kanë të drejtë të protestojnë, kanë mendimin e vet opozitar, jo vetëm për “ONUFRI”-n, po për çdo gjë. Kanë të drejtë të duan të mbahet një aktivitet, në të cilin ndihen pjesë, kështu që “ONUFRI”, për mendimin tim, është i rëndësishëm si një aktivitet i artit bashkëkohor, që t’u jepet mundësia artistëve të rinj shqiptarë. “ONUFRI” duhet të krijojë debat, ashtu si edhe Bienalja e Venecias; arti është një debat, është një këndvështrim. Në Shqipëri, merr dimensione të tjera përveç debatit, pasi ndonjëherë debati shkon deri në vulgaritet. Megjithatë, është e rëndësishme nga cili zë vijnë këto debate, sepse ka edhe zëra që nuk përfaqësojnë komunitetit e artistëve.
Por, nuk janë ata, pra artistët që vendosin nëse do mbahet apo jo një konkurs që deri më tani ka pasur patronazh shtetëror?
Artistët nuk janë vendimmarrës për një aktivitet që bëhet nga Ministria e Kulturës. Ata mund të punojnë me skenën e artit të pavarur, por si në gjithë botën, përveshin mëngët dhe nuk presin nga shteti, por ndërtojnë atelie, rezidenca etj. Ka pafundësi mundësish e rrugësh për të manifestuar udhën e vet, përmes bienalesh, konkursesh apo galerish private. Në Shqipëri, problemi është që mungojnë një skenë e artit bashkëkohor dhe një sistem i artit. Duhet të ketë sa më shumë evente, e mundësisht jo vetëm në Tiranë, siç është “Art Kontakt” që mbahet në Porto Palermo etj.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: