TIRANË- Kreu i Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale, Artan Shkëmbi, i ftuar në studion e “Opinion” në News24 përballë gazetarëve Nisida Tufa dhe Edvin Parruca u ka dhënë përgjigje një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh që kanë të bëjnë me reformën territoriale dhe organizimin e pushtetit vendor sipas kësaj reforme.

Shkëmbi, ish-kryetar për 3 mandate i Bashkisë së Pogradecit, ka folur gjithashtu edhe për humbjen e së majtës në zgjedhjet e 21 qershorit në këtë bashki. Me gjithë habinë që solli për shumë, fitorja e kandidatit të djathtë në këtë bashki, Artan Shkëmbi tha se rezultati nuk ishte surprizë. Sipas tij, kandidatura e përzgjedhur nga e majta ishte e gabuar dhe fushata e organizuar dobët.

“Nuk mendoj që rezultatet e Pogradecit kanë qenë surprizë as kur unë fitoja 3 mandate dhe as kur e majta humb. Ne kemi pasur 2 kryetarë të djathtë dhe 3 të majtë.  Kemi deputetë e majtë e të djathtë. Pogradeci nuk është bastion as i së majtës dhe as i së djathtës, është bastion i qytetarëve.  Nuk kam qenë i përfshirë në fushatë. Di ta lexoj rezultatin. Kandidatura e së majtës në Pogradec e gabuar dhe organizimi i fushatës i keq. Në zgjedhjet e kaluara organizimi ka qenë shumë i mirë. Unë kam arritur të fitoj herën e parë me 700 vota diferencë dhe më pas ta 3-fishoj diferencën. Ka një rënie të menjëhershme pas këtyre zgjedhjeve. Mendoj që ka qenë një organizimi i dobët i fushatës. Nuk është arritur tek problematika që shqetëson qytetarët por u është premtuar gjëra që nuk janë të interesuar”, deklaroi Shkëmbi.

Në lidhje me zbatimin e reformës administrative-territoriale, Shkëmbi tha se do të ketë një manual udhëzues për bashkitë. Sipas tij deri tani nuk janë hasur probleme.

“Për zbatimin e reformës territoriale do të ketë manual udhëzues për bashkitë. Deri tani nuk janë hasur probleme. Me reformën territoriale, bashkitë kanë një strukturë më të vogël”, tha ai.

Kreu i Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale deklaroi gjithashtu se “roli i Prefekturave duhet riparë dhe se me ndarjen e re administrative, do shtohen kompetencat e kryetarëve të bashkive”.

Në lidhje me këndvështrimin e tij si ish-kryetar i Bashkisë së Pogradecit se çfarë mund të bëhet për këtë bashki me ndarjen e re, Shkëmbi tha se favoret dhe vështirësitë janë të barabarta, duke sjellë si shembuj të gjetjeve të zgjidhjeve për ujin e pijshëm, pastrimin etj.

“Që të mos bëj një analizë bardh e zi, mendoj se situata e bashkisë së re ka po aq favore aq sa edhe vështirësi për ta menaxhuar. Tani territori më i madh, ofron mundësi të reja, zgjidhje për shumë probleme, si uji i pijshëm, pastrimi etj”, u shpreh ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: