NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Konkursi i pranimit për studimet master në Universitetin e Arteve sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit do të zhvillohet në datë 10-12 nëntor 2015. Po ashtu, në udhëzim e MAS është përcaktuar se rezultatet e ciklit të parë (nota mesatare e viteve të studimit), do të zërë masën e 30% të pikëve totale, ndërsa 70% të pikëve janë nga konkursi i pranimit. Në total konkursi ka 100 pikë, por një kandidat që të kualifikohet duhet të ketë marrë pikët minimale të konkursit, që janë 40 pikë, për 29 programet e studimit të ciklit të dytë që ofrohen në këtë universitet. Për vitin akademik 2015-2016 qeveria ka miratuar 236 kuota pranimi në Universitetin e Arteve.

KONKURSI &DATAT
Në udhëzimin e MAS përcaktohet se kandidatët brenda vendit si dhe kandidatët shqiptarë, që do të marrin pjesë në konkurset e pranimit për këto programe studimi nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë, Malit të Zi dhe nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja duhet të regjistrohen në sekretaritë e mësimore të fakultetit përkatës deri orën 12:00 të datës 6 nëntor 2015. Konkurset e pranimit zhvillohen në datat 10-12 nëntor 2015.

Tarifa e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit është 3,000 lekë. Qeveria në total për Universitetin e Arteve ka miratuar 236 kuota pranimi në ciklin e dytë të studimeve. Prej tyre, 20 kuota janë për pranimet në “Master profesional” dhe përfshihen tri programe studimi në Pedagogji muzikore, Firzamonikë dhe kitarë. Ndërsa në ciklin e dytë të studimeve “Master i Arteve të Bukura” janë miratuar 216 kuota.

PIKËT MINIMALE
Vlerësimi maksimal për çdo konkurrent do të jetë 100 pikë. Sipas udhëzimit të MAS, kandidatët për t’u kualifikuar në një nga programet e studimit të ciklit të dytë tek Artet duhet patjetër që të marrin pikët minimale, të cilat janë të ndryshme në varësi të programit të studimit (shikoni tabelën e dytë bashkangjitur shkrimit).

Konkurset që do të zhvillohen pranë Fakultetit të Arit Skenik dhe atij të Arteve të Bukura do të ndahet në 2 faza. Në fazën e parë do të vlerësohet dosja personale dhe nota mesatare, për të cilat mund të jepen maksimalisht 50 pikë dhe në fazën e dytë do të vlerësohet testi teorik dhe ai i formimit artistik, me po 50 pikë. Ndërkohë që në Fakultetin e Muzikës ndarja e pikëve të vlerësimit do të bëhet me vendim të Komisionit të Vlerësimit.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb