Vepra e artistëve kolektivë të njohur me emrin “Çeta”, “Buongiorno, vi parla l’Albania” që paraqiste “Motrën Tone” të Idromenos në ‘call center’ të zhveshur, është fshirë nga Fakulteti Ekonomik. Çeta bën me dije se “stickeri nuk e kaloi 24-orëshin”. Sipas këtij grupimi artistësh, “fshirësit vandalë (të panjohur), supozohet të jenë punonjës të universitetit.

Ironike në fakt, sepse në të njëjtën kohë në oborret e universiteteve publike ka me dhjetëra logo korporatash, ose publicitete të ndryshme marketingu (duke përfshirë edhe marketingun e diplomorëve privatë), por nuk lejohet shprehja e lirë studentore ose artistike!”. Kjo vepër, një ndërhyrje në hapësirën publike, është komisionuar si pjesë e projektit “Heronjtë që duam” nga ‘Tirana Art Lab’. “Tonet e ‘call-center’-ave janë zhveshur nga shpresa për një punë e një të ardhme më të mirë, teksa i ka ngërthyer ankthi nga diskutimet e fundit në senatin italian për mbylljen e tyre.

Dhe ajo çka mbetet është dilema e përditshme shekspiriane: të papunë apo të skllavëruar në punë? Buongiorno signore, come vi posso aiutare?” – përfundon teksti i imazhit, që vjen si një aksion i mbështetur nga “Tirana Art Lab” dhe është pjesë e ekspozitës “Triple Feature #5 / Çeta & Kotretsos & Xhafa”, në kuadër të projektit “HEROES Ë LOVE”, që mund të vizitohet deri më 28 janar 2017, nga e mërkura deri të shtunën, ora 16:00 – 20:00, në “Tirana Art LAB”.

Të njëjtin fat ka pasur edhe vepra tjetër “Mos bli presh, bli dinamit” pranë rrugës “Myslym Shyri”. Sipas Çetës, te i njëjti vend dhe pozicion ku Nënë Zylja u kap me presh në duar nga xhandarët e Bashkisë së Tiranës, vepra nuk i kaloi të 24 orët! Censura, e panjohur?!”.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb