TIRANË

Tenori i mirënjohur, Kastriot Tusha, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24” ka treguar emocionet që ka përjetuar nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit, ku shumë qytetarë ndërruan jetë dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur dhe pa shtëpi. Për këtë, ai së bashku me artistët e tjerë ka menduar që të organizojnë një koncert bamirësie gjatë fundjavës në Austri dhe në Zvicër dhe të ardhurat e grumbulluara të t’i shpërndajnë tek familjet në nevojë.



Tenori Tusha së bashku me këngëtarin e njohur Arif Vladi dhe me kompozitorin Edmond Zhulalin kanë synuar që përmes poezisë së Çun Lajçit, të cilën e materializuan në kengë, të rrënjosin ndjenjën e fortë të qëndrueshmërisë dhe të silidaritetit mes shqiptarësh në këto ditë të vështira. Ai shpreson se kënga “Për ty Shqipëri” do mbetet gjatë në memorien e publikut tonë.


“Gjithë ky emocion që përshkoi gjithë Shqiptarinë normal që do linte emocion edhe tek ne. Kjo është kënga kushtuar Shqipërisë. Shqipërisë me halle, Shqipërisë me tërmete etj. I gjithë ky emocion u përmblodh në këtë këngë “Për ty Shqipëri”. Kjo këngë do të mbetet gjatë. Është sensibilizuese. Kjo këngë shpresoj që do ta japë mesazhin e vet. Ne kemi shansin e madh që e kemi një artist dhe kemi besim të madh tek Arifi. Nuk është hyrja me biletë dhe me ftesa. Kjo është një dëshirë e jona. Shumë familje  kur shkojmë në Kosovë, kryesisht familjet e të dëshmorëve na takojnë më përzemërsinë të madhe, dhe na thonë se me zërin tuaj: fëmijët tanë kanë rrokur armët”-tha Tusha.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb