Artistët korçarë i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit kolegut të tyre aktor dhe regjisor, Dhimitër Orgocka, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.

Mes lotësh, aktori Koço Qendro tha për gazetaren e “BalkanWeb”, Lorena Kodra, se kishte folur me Orgockën një natë më parë dhe e kishin lënë të takoheshin, por fati e deshi që ta merrte nga kjo jetë.

“Largimi i tij nga jeta dhe nga skena është i papritur për mua. Një natë para se të mbaronte, lamë takim si zakonisht, se nuk kishim dalë 6 dekada me të në skenë. E kam pasur atë bashkëpunëtor në skenë, e kam pasur regjisor. Ka kaluar dallgë ai, dallgë të vështira në skenë, megjithatë i ka përballuar. Mbetet një burim frymëzimi për brezat e rinj që do të vijnë. Largimi i tij nga jeta dhe nga skena është një humbje e madhe. Kishim lënë një takim, do i bëja një surprizë për Vitin e Ri në televizion, dhe bëra një urim, i thashë “Mos u ndaj nga skena”, por ai u nda. Lamtumirë koleg!”, tha aktori Qendro.

I pyetur se cili ka qenë pengu i tij më i madh, Qendro u shpreh se “Ai ka pasur shumë projekte, që vështirë të viheshin në skenë, megjithatë ai e mbylli me nder dhe i tillë do të kujtohet, sidomos nga ne që ishim bashkëpunëtorët e tij”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb