Nga Iris Rezhda

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka reaguar pas deklaratave dhe kritikave të disa artistëve kundër amendimeve të bëra në ligjin “Për artin dhe kulturën”. Nga Korça, Kumbaro tha se ndryshimet janë bërë si pasojë e kërkesave jo vetëm të artistëve por edhe të institucioneve kulturore. Ajo ka bërë disa sqarime në lidhje me prokurimet.

“Patjetër që do t’i takoj artistët. Ne jemi duke ndërmarrë një nismë ligjore që vjen si pasojë e kërkesave jo vetëm të artistëve por edhe të institucioneve kulturore, qendrore por edhe vendore siç është teatri i Korçës, për të krijuar mekanizma për organizimin e projekteve kulturore të cilat sot edhe për gjëra të vogla siç janë rekuizitat apo veshjet duhet të kalojnë në disa procedura burokratike të prokurimit, të cilat përpos të tjerash krijojnë edhe pengesë për krijimtarinë artistike.

Ligji aktual për artin dhe kulturën që është ai i vitit 2010 ka krijuar një mekanizëm lehtësimi për projektet kulturore që përjashton nga prokurimi nëpërmjet formulës së kolegjiumeve vetëm për Ministrinë e Kulturës. Ne gjykojmë që ky mekanizëm duhet të përhapet edhe tek institucione të tjera me qëllim decentralizimin dhe nxitjen e financuesve të tjerë për mbështetjen e aktiviteteve kulturore”, deklaroi Kumbaro.

Ministrja tha se projektligjin e kemi nxjerrë për konsultim publik, e kemi nxjerrë në faqen e Ministrisë së Kulturës, e kemi dërguar me e-mail tek të gjithë aktorët dhe grupet e interesit.

“Sot ka bashki që i djegin fondet për kulturën sepse nuk dinë si të procedojnë me këto labirinte burokratike. I kemi ftuar të gjithë që të japin sugjerimet e tyre në lidhje me draftin që kemi propozuar dhe kjo është faza e konsultimit. Dua të theksoj se përveç disave të cilët e kanë lexuar ende nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga drejtuesit vendore apo subjekte të tjerë të interesuar”, tha Kumbaro.

Ajo u shpreh më tej se “nga mediat jam njohur me disa organizime të artistëve por besoj se mbasi të takohemi do sqarohemi të gjithë”.

“Kemi parashikuar javën që vjen një tryezë për këtë draft dhe nëse ka kërkesa për tryeza të tjera jemi të gatshëm për t’i diskutuar dhe shpjeguar draftin i cili nuk është lexuar dhe ka keqkuptime. Duhet t’i takoj artistët pasi para se të kuptojmë çfarë kërkojnë, duhet të kuptojnë ata çfarë ofron drafti”, deklaroi ajo. E pyetur për reagimin e aktorit Robert Ndrenika ajo u përgjigj: “Duhet të flas me të”.

Në lidhje me ndërtimin e Kullës, Kumbaro tha se po mbarojnë punimet ne qendrën e artit e pagëzuar me emrin Turbina. “Salla aktuale e teatrit do të vazhdojë të jetë funksionale edhe për trupën e teatrit edhe për trupa të tjera. Teatri Kombëtar do vazhdojë të jetë në funksion deri ditën që do të na vijë projekti por trupa e tij do zhvendoset në një mjedis shumë komod dhe në këtë gjë e kemi dakordësuar më herët me artistët”, tha ministrja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb