NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- “Azotiku Fier” nga Aristotel Papa; “Në hidrocentralin e Vaut të Dejës” nga Ismail Lulani, “Laçi industrial” nga Agim Zajmi, “Fonditori” nga Edison Gjergo, “Liri a vdekje” nga Franc Ashiku, “Portret Punëtori” Guri Madhi, “Druvari” nga Musa Qarri, “Tekstilistja” nga Pandi Mele janë vetëm disa prej veprave që dalin nga fondi i GKA-së për t’iu prezantuar publikut. Jeta nën komunizëm, e fiksuar në vepra arti që i nënshtroheshin herë censurës e herë autocensurës, e herë të tjera rrekeshin të gjenin shtigje të ndaluara prej ku arratiseshin me sa mundnin nga realiteti.

Herë-herë mes tyre gjenden peizazhe, që cilësohen edhe si gjini e “kompromisit” në kohën kur u flasim, mandej janë ushtria popullore, rinia e aksionet në ndërtimin e hekurudhave dhe hapjen e tarracave e tokave të reja, klasa punëtore dhe fshatarësia kooperativiste. 35 piktorë me një koleksion prej 50 punimesh të gjinive të ndryshme nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë do të shfaqen në Galerinë e Arteve në Sarandë. Ekspozita “Artistë shqiptarë të shekullit 20- të” që çelet më 10 Qershor, sipas kuratorit Ylli Drishti ka karakterin e një historie modeste arti të pikturës shqiptare, ku është përzgjedhur dhe paraqitet krijimtaria e një grupi.

“Kontributi i artistëve shqiptarë të traditës si Kol Idromeno, Simon Rrota, Vangjel Zengo, Vangjush Mio, Andrea Kushi, Odise Paskali, Zef Kolombi, Spiro Xega, Ndoc Martini, Sadik Kaceli në artin shqiptar konsolidoi drejtimin realist në artet pamore shqiptare në gjysmën e parë të shekullit 20-të”. Ndërkaq, për drejtorin e Galerisë Kombëtare, Artan Shabani ekspozita “është në vazhdimësi të projekteve në kuadrin e sezonit turistik veror, që filluan me ekspozitën kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që u hap në Muzeun Kombëtar të Krujës, në majin e këtij viti. Pikënisja e kësaj ekspozite pikture është njohja nga afër e krijimtarisë së një brezi artistësh të realizmit socialist shqiptar, të cilët edhe në kushtet e vështira të një arti të kontrolluar e të programuar të periudhës së diktaturës, shpalosën talentin e tyre artistik, shpesh edhe në formë simbolike”.

Shabani shton se paraqiten 50 punime në gjini të ndryshme, të realizuara nga piktorë shqiptarë, duke shfaqur në një hapësirë të gjerë tematikën që ata trajtuan, si dhe në larminë e koloritit, zgjidhjeve kompozicionale, portreteve, peizazheve e pllakateve, një pjesë e të cilave ekspozohen për herë të parë.

ARTISTËT
Të edukuar në akademitë e vendeve perëndimore, ky grup artistësh u shkëput gradualisht nga temat fetare dhe realizuan kompozime, portrete e peizazhet e para realiste laike shënon Drishti në konceptin e tij kuratorial. Subjektet e tyre ishin kryesisht portrete të familjarëve dhe miqve të familjes, peizazhe të qytetit ku banonin dhe të zonës rurale rreth tij. Në ekspozitën “Artistë shqiptarë të shekullit 20-të”, përveç tablove të Idromenos, Mios, Rrotës, dhe Papadhimitrit koleksioni kryesor i veprave të artit i përket viteve 1945-1985 të artistëve: A.Buza, F.Stamo, A.Cangonji, G. Madhi, J.Keraj, K.Dilo, D.Jukniu, P.Mele, R.Dembo, S.Shijaku, V.Kilica, I.Sulovari, A.Zajmi, Z.Shoshi, A.Papa, B.Mata, B.Zajmi, Dh.Trebicka, E.Gjergo, F.Ashiku, I.Lulani, H.Çapari, H.Nallbani, H.Agolli, M.Qarri, R.Karanxha, S.Marko, B.Ahmeti, Sh.Arapi, S.Capo, B.Zajmi.

“Vazhdimi i traditës në gjininë e peizazhit nuk u ndërpre nga piktorët e realizmit socialist, përkundrazi ajo ishte gjinia e ‘kompromiseve’ që artistët pamorë bënin me pushtetin, duke i shtuar peizazheve nga natyra, në shumë raste elementë simbolikë propagandistikë si objekte industrialë apo dhe figura njerëzore që ndërthureshin me subjektin industrial apo dhe atë rural”, shton Drishti. Për të, peizazhi në ato vite (1965-1985) në Shqipëri ishte një gjini e dorës së tretë dhe vlerësohej pas gjinisë së portretit. Në ekspozitë janë paraqitur peizazhe të 12 autorëve duke filluar me V.Mion, S.Papadhimitri, V.Talo, A.Papa, A.Cangonji, A.Zajmi, I.Lulani, H.Nallbani, F.Stamo, Z.Shoshi, B.Zajmi dhe B.Ahmeti. Kjo përzgjedhje do ndihmojë publikun në njohjen e ecurisë së peizazhit shqiptar në shekullin e 20-të. Peizazhet e piktorëve A.Cangonji, B.Zajmi, F.Stamo S.Papadhimitri, V.Talo, A.Cangonji, A.Zajmi, H.Nallbani, F.Stamo, Z.Shoshi dhe B.Zajmi prezantojnë me larminë e qëndrimeve piktoreske që piktorët mbajtën në këto vite.

VITET
1970-1990 Në këtë kohë pjesëmarrja e artistëve në këto veprimtari kombëtare ishte e madhe thotë Drishti. Zakonisht merrnin pjesë mbi 150 artistë në çdo ekspozitë dhe kryesisht veprat e tyre i kushtoheshin temave aktuale. “Temat politike apo më saktë orientimi artistik i diktuar nga shteti komunist në artin shqiptar, i cili ishte porositësi kryesor i artistëve (mbështetësi, organizatori dhe blerësi kryesor i krijimtarisë artistike), gradualisht pas gjysmës së viteve ’60 të shekullit 20-të filloi të ishte dominues”, thotë kuratori, duke shtuar se “arti pamor shqiptar ashtu si dhe letërsia, muzika, teatri, filmi u dominuan nga diktati politik dhe u bënë pjesë e propagandës së shtetit komunist, duke krijuar skematizmin dhe shabllonizmin sipas shembullit të artit sovjetik.

Jeta kulturore-artistike në vitet 1970 kishte një hapësirë shprehjeje më të lirë . Nga kjo periudhë në ekspozitë kemi paraqitur tablonë “Fonditori” (1971) të piktorit Edison Gjergo, “Aksionistja”( 1967) e piktorit Isuf Sulovari; “Tekstilistja” dhe “Shokët” (1971) e Pandi Meles; “Nusja nga Shpati” e Bujar Zajmit (1970). Drishti vëren se tabloja “Fonditori” e Gjergos është një nga veprat që krijoi impakt pozitiv për konceptimin modern të figurës së punëtorit, ku ngjyra merr rol parësor në krijimin emocional, por shembulli i përpjekjeve të para të një pikture ndryshe e gjejmë vite më parë, te tabloja e Guri Madhit “Portret punëtori” (1961).

Drishti vëren se kjo liri shprehjeje artistike u censurua, u ndalua dhe u dënua me forcë nga udhëheqja komuniste shqiptare. Mbas vitit 1973 arti i pikturës në Shqipëri ndryshoi për të gjithë piktorët. Ishte e rrezikshme të kishe influenca të artit modern perëndimor. Nga kjo periudhë në ekspozitë janë paraqitur një seri veprash që ruhen në GKA, Tiranë si: “Durrësi-Porti i miqësisë” (1975) e piktorit Abdullah Cangonji, ku ndjehen prirja e një pikture natyraliste; “Në lëmë” (1977) e piktorit Foto Stamo ku përparësi veç dritës diellore, merr evidentimi i korrjeve të bollshme dhe mekanizimi i bujqësisë.

Në kompozimet e realizuara në vaj, në vizatim dhe grafikë janë paraqitur disa nga punimet që artistët shqiptarë paraqitën në ekspozitat e kohës duke filluar nga ato historike “Mic Sokoli” dhe “Pararoja e batalionit ‘Hakmarja” e piktorit Sali Shijaku, “Ditari Partizan” i Pandi Meles ; temave nga socializmi si: “Shkojmë në punë” e Rafael Dembos “Drejt Lartësive” e Shpëtim Arapit; “Ndërtuesit” e Vilson Kilicës, “Kriporja” e Ramadan Karanxhës; “Violinistja” e Hasan Çaparit; “Dollinë e parë për Partinë” e Dhimitraq Trebickës. Në këto tablo si dhe në grafikat dhe vizatimet e Abdurrahim Buzës, Safo Markos, Pandi Meles, Dhimitraq Trebickës, Musa Qarrit dhe Bujar Zajmit ndjehet ndikimi i censurës dhe autocensurës në krijimtarinë e secilit artist si dhe kompromiset që ata bënin me pushtetin. “Ekspozita ‘Artistë shqiptarë të shekullit 20-të’ është pasqyra më interesante e zhvillimeve që ndodhën në artin pamor shqiptar nëpërmjet krijimtarisë së 35 artistëve shqiptarë dhe veprave të paraqitura në këtë ekspozitë të veçantë për publikun shqiptar dhe të huaj”, përfundon Drishti.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: