NGA OLA MITRE
TIRANE-
Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë kërkon uljen e moshës së daljes në pension të artistëve si dhe përfitimin e statusit për këtë kategori. Po ashtu, kjo sindikatë ka gati dhe një projektligj, i cili përfshin të gjitha kërkesat, ndërkohë që i është paraqitur dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro.

Sipas projektligjit, gratë valltare, balerina dhe artistet e cirkut parashikohet dalja në pension në moshën 45 vjeç, ndërsa duhet të kenë 23 vite vjetërsi pune, nga të cilat 15 vjet në këtë profesion. Për burrat e profesioneve të mësipërm kërkohet që mosha e daljes në pension të ulet në 50 vjeç, ndërsa vjetërsia e punës në 28 vite, nga të cilat 20 në këtë profesion. Gratë orkestrante fryme, so-listet, koristet që kanë vjetërsi pune 28 vjet, nga këto 20 vjet në profesion kërkohet të dalin në pension në moshën 50 vjeç, ndërsa burrat e këtyre profesioneve 55 vjeç. Për gratë orkestrante (të gjitha veglat muzikore, përjashto ato të frymës), aktore teatri, filmi, humori, këngëtare, dirigjente, regjisore, koreografe, skenariste, të arteve pamore, piktore, skulptore, që kanë 38 vjet punë, nga këto 30 vjet në profesion, sindikata e artistëve kërkon daljen në pension në moshën 60 vjeç, ndërsa për burrat që ushtrojnë këto profesione kërkohet dalja në pension në moshën 65 vjeç, me vjetërsi pune 38 vjet, nga të cilat 30 vjet në profesion.
Masa e pensionit
Projektligji i propozuar nga Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë parashikon gjithashtu, një formulë të ndryshme për përllogaritjen e masës së pensionit. Sipas tij, kërkohet që çdo artist apo artiste, që del në pension sipas tij, përfiton 2% të pagës referuese për çdo vit pune, ndryshe nga ligji i ri që hyn në fuqi në datën 1 janar 2015, i cili parashikon 1% të kësaj page.

Po ashtu, kërkohet që të gjithë artistët, që kanë dalë në pension të pjesshëm gjatë viteve 1994, 1995, 1996, që aktualisht marrin pension minimal, të përfitojnë një shtesë, ku pensioni t’u shkojë 25 mijë lekë në muaj. Sipas presidentit të sindikatës, Reshat Ibrahimi, në datën 9 dhjetor është zhvilluar dhe një takim me ministren, e cila është angazhuar për trajtimin dhe realizmin e projektligjit. Ndërkaq “Gazeta Shqiptare” zbardh sot të plotë projektligjin e propozuar nga SPASH-së.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb