Të vendosur t’i shkojnë kauzës së mbrojtjes së teatrove kombëtarë deri në fund, një grup artistësh prej 40 ditësh kanë lënë çdo angazhim për t’iu kushtuar qëllimit primar. Për shumëkënd ngjajnë si donkishotë që luftojnë me mullinjtë e erës, por duket se udhëtimi ka për të qenë i gjatë dhe ata janë të vendosur.

Një prej stacioneve të tyre ishte takimi i djeshëm me ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin. Përgjatë dy orëve ata ndanë me shqetësimet që kanë mbi ligjin dhe procedurën që i hap rrugë shembjes së teatrove për të ndërtuar një të ri me PPP. Duke shpresuar që ligji i miratuar me 5 korrik nuk do të dekretohet nga presidenti i vendit, Ilir Meta dhe se ai do të ketë një qëndrim të paanshëm sikundër premtoi, artistët derisa në Shqipëri të nisë të rifunksionojë Gjykata Kushtetuese, shprehen se do ta “ruajnë” teatrin ditë e natë. Pas takimit me Vlahutin, aktori Alert Çeloaliaj tha para mediave çfarë biseduan.

“Ne patëm mundësinë, që të shprehim të gjitha shqetësimet tona lidhur me çështjen shumë të rëndësishme për Teatrin Kombëtar. Folëm për rëndësinë e trashëgimisë edhe për çështjen e të drejtës publike, për sipërfaqen publike. Bëmë të qartë se jemi kundër tjetërsimit të kësaj prone dhe parashtruam mundësisë për të pasur të rikonstruktuar këtë godinë”, tha ai.

Mandej, regjisori Robert Budina pas takimit tha se bënë një pasqyrë të gjerë të asaj që ka ndodhur, një historik të kryeministrit shqiptar me godinën edhe me artistët në përgjithësi, i cili prej 18 vitesh ka dashur që ta marrë atë. “Ka 20 vite që thuhet se ky teatër duhet shembur. Interesi personal ka orientuar një shtet të tërë me ligje për ta sjellë tek vetja. Në momentin që duam që të futemi në Evropë nuk mund të futemi duke shembur TK. Kam përshtypjen se u perceptuam qartë. Dhamë edhe argumente ligjore që ata të dinë sesi po veprohet në Shqipëri. Ne nuk do të lejojmë që TK të shembet pa u bërë Gjykata Kushtetuese, prandaj nxisim edhe presidentin e vendit, që mos ta dekretojë këtë ligj”,-tha Robert Budina.

Ai theksoi qëndrimin në vazhdim të artistëve kur tha se do ta ruajmë godinën nga ndonjë sulm i papritur, duke ndenjur aty. “Nuk mundet që ta shembin as natën dhe as ditën”, u shpreh Budina në përgjigje të interesit të gazetarëve. Aktori Neritan Liçaj tha para mediave se zonja Vlahutin i ka siguruar personalisht se “po e monitorojmë të gjithë rastin. Ata dinë të bëjnë shumë mirë detyrën e tyre. Ne parashtruam problemet që ligji i aprovuar në 5 korrik bie në kundërshtim me marrëveshjen e MSA-së. Ata duhet që të bëjnë raportin”. Sipas Liçajt ky rast ka gjithë vëmendjen e ambasadores Vlahutin. Nga ana tjetër, ai tha se aktorët do të vazhdojnë hapat e rezistencës hap pas hapi dhe se janë në pritje të presidentit. “E kemi ushtruar edhe kemi bërë publike. Jemi në pritje të tij”, shtoi ai.

Shkrimtari Rudi Erebara tha pasdite se Takimi me ambasadoren e Bashkimit Europian, znj. Vlahutin ishte i frytshëm. “Zonja ambasadore na njoftoi se pret nga Brukseli një analizë juridike të çështjes. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dorëzoi, gjithashtu, një qëndrim të detajuar imtësisht, ku tregohet qartë pse ligji për të shembur teatrin është në shkelje të shumëfishtë të Kushtetutës së Shqipërisë, edhe plot ligjeve të tjera. I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Ilir Meta, të rrezojë ligjin e kaluar nga Kuvendi i Shqipërisë si një ligj antikushtetues”.

Shkrimin e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2018/07/21/artistet-vlahutin-na-siguroi-se-po-monitorohet-rasti-teatrit/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: