Që në kopësht ai njihej si artisti i klasës. Me kalimin e viteve talenti i tij u perfeksionua e kjo vërtetohet lehtësisht sapo u hedh një sy pikturave të tij. Flasim për Shelin Kurtin.
“Që në kopësht pikturoja shumë dhe edukatoret më mbanin si artistin e klasës. Pastaj prindërit më angazhuan nëpër kurse”, rrëfen piktori për Trending.

Teksa të rinjtë në Shqipëri duken entuzistë kur pranojnë se e ardhmja e tyre do të jetë jashtë vendit, Shelin shprehet se kjo temë i shkakton pak ankth. Megjithatë ai e ka vendosur, me planin për t’u rikthyer në Shqipëri pas disa vitesh zgjedhja e tij është Franca.

“Duke menduar nëse do jem jashtë apo në Shqipëri kohët e fundit kam një ankth. E kam menduar të largohem për disa kohë nga Shqipëria, por në një të ardhme të largët mund të kthehem prapë. Mendoj se do të shkoj në Francë”, tregon Shelin.

Pavarësisht frikërave e vështirësive me të cilat përballet një artist në Shqipëri, Shelin këshillon: “Mbahuni fort pas ëndrrave, mos i lëshoni!”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb