TIRANE

Edhe pse tradita e endjes është zbehur, vetëm pak gra duararta vazhdojnë ta mbajnë gjallë atë duke sjellë në treg produktet e tyre artizanale. Në ditën e dytë të dyerve te hapura gratë endëse prezantuan punimet e tyre të dorës në ambientet e Dhomës Kombëtare te Zejtarisë e cila në fokus kishte diskutimin për gratë dhe vajzat.

Nusha Deja, një artizane pensioniste tregon me krenari një thesar të trashëguar gati 200 vjeçar. Janë anteri, mëngët e veshjes së nuses të qëndisura me ar që i ka trashëguar nga vjehrra e saj. Edhe pse dëshiron t’i ruaje me fanatizëm e t’i kaloje brez pas brezi përsëri thotë se nevoja e detyron ta shesë. Ka nevoje për paratë.

“Kjo është punuar me ar, janë mëngët e nuses. Këto janë mbi 100 ose 200 vjeçare nuk e di tamam. 500 euro mund ti shes dhe me duket pak. I mbaj kaq shtrenjtë se nuk dua ti shes. Kam qejf t’i mbaj, por edhe kam nevoje për para ca të bej.”

Edhe pse lodhja për punën fine që bën është e madhe 65 vjeçarja thotë se vështirësitë harrohen kur arrihet suksesi.

“Ja kjo punë me ka marre 10 ditë, 8 orë në ditë, është pune e vështire, me siguron deri 30 mijë leke ose 40 mijë lekë të vjetra. Edhe te huajt i duan punët e mia, i shes edhe në shtëpi”

Meliha Zyberaj, e cila drejton një punishte të vogël thotë se puna me dore po i jep grave të papuna ne Vaun e Dejës mundësi për të kontribuar ne familje.

“Vajzat dhe gratë tashme përfitojnë rreth 200 mije lekë të vjetra në muaj nga puna me dore, se ca do bëjnë brenda ato? Nuk ka mundësi të tjera ku jetojmë ne. Ndihmojnë familjen, madje nuk kemi vetëm vajza te reja kemi edhe te moshuara qe bëjnë këtë pune”

Sot ishte një moment i rëndësishëm për Dhomën Kombëtare të Zejtarisë me president zotin Luan Bregasi dhe mes Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Mes tyre u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi

Dhoma Kombëtare e Zejtarise ofron trajnime nga fusha të ndryshme të zejtarisë, trajnimet janë për zejtarë të cilët janë aktualisht në punë dhe duan të trajnohen për risitë në fushën e tyre sipas sistemit dual gjerman.

Gjithashtu dhoma e zejeve është institucioni i vetëm në njohjen dhe dhënien e titujve për “Mjeshtrat” dhe “Ndihmësmjeshtrat” në fushën e Zejtarisë dhe Profesioneve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb