Në ditën e lindjes së një prej personaliteteve më të mëdha shqiptare, Petro Zhejit, djali i tij, analisti i njohur Artur Zheji i ka kushtuar një dialog që përshkruan marrëdhënien mes tyre dhe me botën.

Nga Artur Zheji
Koordinatat e Kohës dhe koordinatat e Ekzistencës

Babai – Jemi të zhytur në kohë Artur, si në një rrymë që na merr me vete, pa dëshirën tonë. Na shëtit apo na degdis ndër brigje. Na fundos apo na jep mundësinë të pluskojmë si ca gjethe të shkëputura nga Pema e Jetës…
Biri – Nga Pema e Jetës? Pse? Kur jemi të zhytur në Kohë, pushojmë së jetuari?

Babai – (Qesh me ëmbëlsi dhe me shikim të shtegtuar larg) Jetojmë për aq sa ka vendosur Koha që ne të jetojmë. Fill pasi shkëputemi nga trupi i nënës që na lind dhe që shpesh nuk kuptohet sepse… (Qesh përsëri) Por s’ke pse trembesh, edhe Koha është relative, nëse trupi tejkalon shpejtësinë e Dritës!…

Biri – Shpejtësi e Dritës? Po kjo është një shpejtësi e pamundur që të mbërrihet nga ne “njerëzorët” dhe …
Babai – Pikërisht! Prandaj dhe nuk ka vdekje! Sepse “vdekja” na jep mundësinë të shëndrohemi në shpirtra dhe të rifitojmë shpejtësinë e Dritës. Ekuacioni thotë se edhe Koha edhe Hapësira, përthyhen, kur fitohet shpejtësia e Dritës. Përthyhet!… Koha përthyhet! Pra thyhet! … Sa bukur e thotë Gjuha Shqipe!

Biri – Prandaj thuhet në shqip: “I ndrittë Shpirti!” domethënë është një urim që shpirti i të ndjerit të fitojë shpejtësinë e Dritës! (Biri duke ndjekur përfytyrimin e Babait) Dhe kështu shkërmoqen muret e burgut që na mbërthen në kohën dhe hapësirën e trupit tonë të kufizuar. Të kufizuar sa një qeli burgu, përkundrejt! Ja pse ëndrrat janë një rrëmujë kohe dhe hapësire, krejt ndryshe nga rregullat e Jetës!…

Petro Zheji 2 (1)
Petro Zheji 2 (1)

Babai – Po. Kjo shpjegon sepse çdo gjë jotokësore, bashkëshoqërohet me Dritën, kur ne mundohemi të përfytyrojmë diçka vërtet të jashtëzakonshme! Si thoshte diku Miltoni i madh kur rrëfentë Luciferin… (pauzë e gjatë)
E pra njeriu është thjesht një Dritë e rrëzuar mbi tokë! Por askush nuk e shpjegon dot pse!
Biri – Do flasim për diçka tjetër? Dalim bëjmë një shëtitje?
Babai – Po. Dalim.
Biri – Ku do shkojmë Bush?
Babai – Ku të na çojnë këmbët! Le të na shpien ato ku të duan… Ah, ki parasysh një gjë!
Biri – (qesh duke kopjuar qeshjen e Tij) Çfarë tjetër?
Babai – Koordinatat… domethënë majtas, djathtas, lartë apo poshtë… gjatësia, gjerësia, lartësia… janë thjesht të përkohshme! Hapësira domethënë… hapësira është e përkohshme për aq kohë sa vazhdon egzistenca zvarranike mbi tokë. E thamë, ato, koordinatat e hapësirës “përthyhen” sëbashku me Kohën. Përthyuhen apo thyhen, apo bëhen copë e çikë, askush nuk e di. Ajo që dimë, ajo që dimë me siguri është se egzistenca vazhdon!… Vazhdon ndryshe, por vazhdon! Që çke me të që vazhdon!
Biri – Hëmm! Shumë e bukur për të qenë e vërtetë!
Babai – Kështuqë mos u tremb fare kur unë të largohem nga këto koordinatat e këtushme! Sepse vdekje të vërtetë nuk ka! Më kupton? Lëri të tjerët të qajnë e të vajtojnë! Sepse ata nuk e dinë se çfarë ndodh në të vërtetë! Edhe nëse ua thonë, të shumtët nuk duan ta besojnë! Sepse padituria është frikë!
Biri – Po, kjo është e vërtetë! (mendohet ca që të gjejë ca fjalë të zgjedhura) Njeriu ka frikë nga e Panjohura! Nga ajo që vjen pas! Ajo që vjen pas, ajo na tremb në të vërtetë!
Babai – Pikërisht, bukur e the! Prandaj dhe tiranët e duan popullin të paditur! Sepse tiranët gjithmonë ëndërrojnë të kenë nën këmbët e tyre një popull idiotësh. Por nuk e kanë nga vetja, është në instinktin e “Gjësë” kjo. Është në instiktin e satrapit! Janë mësimet e Diallit që thonin: Mbill errësirë, që të korrësh Pushtet!
Biri – Sot është sofistikuar më shumë kjo “Gjëja”! Mbjellin jo thjesht errësirë, porse një Dritë të rreme! Ose një Dituri boshe që të le krejt të paditur… të bën të padëmshëm për të prekur pushtetin e tyre…
Babai – Po. Por është gjithmonë e njejta “Gjë”!

– Petro Zheji lindi më 18 tetor 1929. Sot do të ishte 93 vite tokësorë. Por nuk është më këtu. Thjesht ka ndërruar koordinatat e Ekzistencës së Tij! I ndrittë Shpirti! –

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb